Kikia komenton emërimin e Ulsi Manjës: Nuk i bën mirë drejtësisë të drejtohet nga një emër i përfolur

“Një kabinet me nëpunës administrativë”. Kështu e etiketon analisti i njohur i ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora dhe e argumenton pse.

Sipas tij, politikat e strategjitë diktohen nga kryeministri e për pasojë ministrat duan apo nuk duan shndërrohen në nëpunës administrativë.

Kikia: Nëse një qeveri dështon ne do t’i kërkojmë llogari kryeministrit. Prandaj edhe përzgjedhjen e ministrave e bën ai. Ministrat kanë pak në dorë në punën e tyre. Pak kush mund të thotë që ministrat janë përgjegjës për politikat në fushat që ata drejtojnë. Politikat e strategjitë diktohen nga kryeministri e për pasojë ministrat duan apo nuk duan shndërrohen në nëpunës administrativë. Duhet të ishte e udhës që ministrat të kishin më shumë hapësirë dhe lirshmëri mbi mënyrën e shpenzimit të buxhetit në ministritë përkatëse.

Ulsi Manja në krye të ministrisë së Drejtësisë. A është kjo zgjedhja e duhur?

Për Kikian, nuk do i bënte mirë drejtësisë të drejtohej nga një emër i përfolur në një dosje në përgjimet për pazare.

Kikia: Pavarësisht pastrimit që i është bërë imazhit të tij nuk do i bënte mirë drejtësisë të drejtohej nga një emër i përfolur në një dosje ku të paktën në përgjimet që dolën ky ishte i përfshirë në këtë “lloj pazari”.

Cilat janë pritshmëritë për qeverinë e re?

Kikia shprehet se nuk ka parë një program, por vetëm përbërjen duke theksuar se duhet pritur seanca parlamentare.

Kikia: Nuk kemi parë një program, por vetëm përbërjen. Kjo nuk më thotë asgjë. Presim seancën parlamentare kur të shpaloset program.  Nëse prioritetet do të jenë sërish koncesionet atëherë do të jetë vijimësi e “Rama 2”.