“Herët apo vonë, do të luajmë me Mbappe te Real Madridi”
As 200 mln Euro cash nuk i mjaftuan Paris Saint Germain për të lënë të lire Kylian Mbappe që të shkonte te Real Madrid ndërkohë që sulmuesi ka vetëm disa muaj kontratë të mbetur me parizienët.
Aktualisht lojtari është me kombëtaren e Francës, ku dje zbriti në fushë ndaj Bosnjes në krah të Benzema me të cilin do të formonte edhe dyshen e sulmit te Real Madrid. Gjithsesi është Benzema që është i bindur se me Mbappe, ai do të luajë së bashku me fanellën e Real Madrid dhe është vetëm çështje kohe.
“Unë dhe Mbappe e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë, brenda dhe jashtë fushës, dhe është e qartë se do të doja që ai të ishte me mua te Real Madrid, klubi më i mirë në botë, por ju duhet ta respektoni vendimin e tij. Jam i sigurt se një ditë, herët apo vonë ai do të luajë për Los Blancos”, deklaroi Karim Benzema dje pas ndeshjes së “gjelave”.
Çështja tashmë nuk është më a do të luajë sepse është e qartë që Mbappe verën tjetër do të veshë fanellën madrilene por pyetja është kur do ta bëjë.
Ka edhe një mundësi tjetër që në Janar, PSG të pranojë ta shesë sulmuesin kundrejt një oferte nga Real Madrid, jo më për 200 mln euro por ndoshta për 50 mln për të mos mbetur duarbosh edhe klubi parizien.
