Dorëzohen vajzat e Vllaznisë, humbin 2-0 përballë Juventusit në “Loro Boriçi”

Është playoffi i Champions League për femra dhe niveli është shumë i lartë. Edhe pse Vllaznia për femra bëri më të mirën dhe u përpoq, në sfidën e parë ndaj Juventusit u mund 2-0 në “Loro Boriçi” përpara tifozëve shkodranë që nuk ishin pak.

Sfida u bë menjëherë e vështirë për vajzat kuqeblu pasi Juventusi shënoi që në minutën e 12 me Cristiana Girellin ndërsa po në pjesën e parë një autogol nga Lufo e çoi rezultatin në 2-0.

Vajzat e trajnerit Nikolin Leka u munduan në fraksionin e dytë për të gjetur golin dhe nuk ia dolën përballë një ekipi të fortë si kampionet në fuqi të Italisë, shkruan Ora News.

Pas 8 ditësh do të luhet në Torino ndeshja e kthimit mes dy skuadrave por kualifikimi është një mision i pamundur për vajzat shkodrane kësaj radhe që gjithsesi kanë bërë një ecuri të jashtëzakonshme deri në këtë raund të Champions League.