Maqedonia e Veriut shtrëngon masat në kufi. Kërkohet certifikata e vaksinës ose tamponi negativ
Nga dita e hënë, Maqedonia e Veriut ka shtrënguar masat anti-Covidpër hyrje-daljet në vend, përfshirë shtetasit shqiptarë.
Autoritetet kufitare do të kërkojnë certifikatën e vaksinimit, një tampon negativ jo më të vjetër se 72 orë ose një test antigjen të shpejtë të 48 orëve të fundit.
Për personat që nuk paraqitin njërin nga dokumentet do të aplikohet një javë karantinë.
Do të përjashtohen nga masat shoferët e kamionëve të mallrave ose ata që kalojnë tranzit në vend brenda pesë orëve.
Në fuqi hynë më 1 shtator edhe kufizimet e tjera, si ulja e kapaciteteve të shërbimit në 30 për qind për bar-restorantet e mbyllura, 50 për qind për ambientet e hapura dhe hyrja në restorante e qendra tregtare vetëm me dëshmi vaksinimi.
Bashkimi Evropian vendosi të hënën të kufizojë udhëtimet me Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirus në këto vende.
Maqedonia regjistroi një ditë më parë 37 viktima prej infektimit nga Covid-19 ndërsa mbi 14 mijë raste po ndiqen në mënyrë aktive.
Mbi 1 milion e 200 mijë maqedonas janë vaksinuar kundër koronavirusit.
52 % e shtetasve mbi 40 vjeç kanë marrë të paktën njërën dozë, ndërsa fëmijët 12 deri 18 vjeç po vaksinohen me pëlqim të prindërve.
Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti: Takimi i tretë në vjeshtë
1 Shtator, 13:07


