"Qëndrimi i afganëve është i përkohshëm në Shqipëri", Rama për Radio BBC: Për gjithçka që do të duhet, ne do t’u gjendemi!
Kryeministri Raama në një intervistë nga Sllovenia për Radio BBC u shpreh se qëndrimi i afganëve në vendin tonë është teorikisht i përkohshëm derisa ata të marrin një vizë për në SHBA. Duke qenë se numri i afganë të evakuuar është i lartë do të duhet kohë për këtë proces, ndaj kryeministri shprehet se "për gjithçka që do të duhet, ne do t’u gjendemi."
BBC: Sa kohë mendoni se do rrinë njerëzit që janë evakuuar? A do të qëndrojnë ata në Shqipëri? A prisni që ata të integrohen në shoqërinë shqiptare apo kjo është një ndalesë përpara se të lëvizin diku tjetër?
Rama: "Pikë së pari, na u afruan disa organizata, fondacione, një tërësi organizatash të shoqërisë civile përtej oqeanit, në ShBA, përfshi fondacionin “Yada Hakim” nga ana tjetër dhe thamë menjëherë “po”.
Më tej, sigurisht, na e kërkoi qeveria amerikane dhe i thamë menjëherë “po”.
Arsyetimi për gjithë këtë është se këta njerëz kanë mundësi të kualifikohen për të marrë vizë e për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka e bën qëndrimin e tyre teorikisht të përkohshëm, por, së pari, mendoj se do të duhet kohë për këtë, pasi me kaq shumë njerëz sa janë nxjerrë jashtë vendit nga avionët amerikanë e që duhet të kalojnë procesin e shqyrtimit në pjesë të ndryshme të Evropës e tjetërkund, kjo do të kërkojë kohë.
Së dyti, çfarëdo që të duhet, për gjithçka që do të duhet, ne do t’u gjendemi. Ne nuk mundemi, nuk mundemi të harrojmë historinë tonë. Nuk mund të mos respektojmë kodin tonë të nderit, që e kemi prej një kohe shumë të gjatë dhe që e bëri Shqipërinë të ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se para saj, pikërisht sepse asnjë hebre nuk u dorëzua dhe pati shqiptarë që paguan me jetë për t’i shpëtuar.
Gjithashtu, besoj fort se u detyrohemi fëmijëve tanë. Fëmijët tanë duhet ta trashëgojnë të gjithë këtë e ne duhet ta nderojmë këtë trashëgimi dhe ata duhet, po kështu, ta nderojnë kur t’u vijë koha."/OraNews/
