Uragani Ida shkakton të paktën 2 viktima, aligatori sulmon për vdekje 71-vjeçarin
Mijëra banorë të New Orelans rrezikojnë të mbeten pa energji për disa javë pasi uragani "Ida" ka shkatërruar rrjetin elektrik të qytetit.
Stuhia e fuqishme kaloi të dielën në shtetin e Luizianës në jug të Amerikës, me erëra që arrinin shpejtësinë 240 km për orë.
Uragani zbrazi edhe sasi të mëdha reshjesh që shkaktuan përmbytje.
"Ishte ora 10 e natës kur papritur uji na hyri në shtëpi dhe filloi të na zërë paniku. Morëm rroba dhe sende sa të mundnim dhe u strehuam te gjyshërit pak më poshtë nesh."
"Mua nuk më shqetësojnë sendet materiale. E di se kjo do të rregullohet, por ç't'i bëjmë frikës që kanë marrë fëmijët pas natës së shkuar."
Të paktën dy persona humbën jetën, viktima e parë nga rrëzimi i një peme, ndërsa të hënën një person mësohet se u sulmua nga një aligator që po notonte në zonën e përmbytur.
Presidenti Joe Biden foli me guvernatorët dhe kryebashkiakët e shteteve të goditura nga uragani për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve me ndihma humanitare dhe operacione shpëtimi.
Uragani i fundit "Ida" ishte i fuqishëm por të njëjtën rrugë përshkoi 16 vite më parë uragani "Katrina" i cili vrau 1,800 amerikanë.
Guvernatori i Luizianës tha se për këtë ndikuan muret mbrojtëse të ngritura përqark New Orelans.
"Megjithatë, dëmet janë prapë katastrofike. Erdhën kryesisht prej erës, por dimë që disa zona kanë pasur edhe reshje të shumta. Kritike për ne është ndërprerja e energjisë, lënia pa elektricitet e 1 milion shtëpive dhe bizneseve, por mendoj se kemi gati 2 milionë veta në errësirë."
Fuqia e uraganit "Ida" u dobësua orë më parë në një stuhi të thjeshtë teksa hyri në brendësi të territorit, por autoritetet janë në alarm për ardhjen e erërave të tjera nga pjesa juglindore.


