Situata politike në vend/ Shabani: Parlamenti i pavarur nga kreu i partisë, mungon opozita e fortë
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora Neës, kreu i “Nismës Thurje” Endri Shabani, ka komentuar situatën politike në vend, dhe nëse parlamenti i ri që do fillojë në shtator do të sjellë ndonjë risi.
Ai është shprehur se kemi një Parlament të pavarur nga kryetari i partisë, ndërsa thekson se një nga arsyet që situata politike në vendin tonë është komplekse është mungesa e një opozite të fortë.
Sipas tij sfida e vërtetë e aktorëve politikë është të kthejnë besimin tek qytetarët se gjërat mund të ndryshojnë, pasi pesimizmi dhe cinizmi shkojnë në avantazh të atyre që janë në pushtet.
“Është hera e parë që një mazhorancë qëndron për tre mandate radhazi, pra flasim pas viteve’90 se para viteve ’90 kishim një parti në pushtet. Kemi një sistem politik ku Parlamentin nuk e shohim të pavarur nga kryetari I partisë. Nuk kishim ndonjë pritshmëri tej asaj që kemi parë 8 vitet e fundit. Situata është pak komplekse por sigurisht që ne jemi shumë më pranë autokracisë sesa kemi qenë 30 vite.
Një nga arsyet është mungesa e një opozite të fort, në kuptimin për ta mbajtur në presion mazhorancën politike. Unë besoj në pafuqinë e opozitës për t’u kthyer në një alternativë reale për të bindur qytetarët që nëse do të votohen për opozitën gjërat do të ndryshonin. Niveli i cinizmit është rritur jashtëzakonisht shumë, sigurisht shumë qytetarë janë dorëzuar, dhe kjo është sfida e vërtetë për çdo njeri që është angazhuar në politikë. Sfida e vërtetë është si të kthejmë besimin që gjërat mund të ndryshojnë. Pesimizmi dhe cinizmi shkojnë në avantazh të atyre që janë në pushtet.
Asgjë nuk mund ta ndihmojë më shumë Edi Ramën sa momenti që ne të besojmë se gjërat nuk ndryshojnë dot kurrë. Unë nuk jam me ata që besoj që Shqipërinë do e bëjnë ndërkombëtarët, është një ndjenjë inferioriteti . Unë besoj që Shqipëria nëse do të bëhet do bëhet nga shqiptarët. Ne kemi një partneritet strategjik me perëndimin që prapë kam frikë që Edi Rama mund ta ndryshojë në këto katër vjet. Ne nuk duhet ta ndryshojmë modelin e zhvillimit. Kjo nuk do të thotë që ne do ua varim përgjegjësinë në qafë partnerëve tanë ndërkombëtarë.”
Më tej shton se ne si qytetarë, aktorë politikë, përgjegjësinë duhet ta kërkojmë te vetja dhe pritshmërinë duhet ta kemi te vetja, pra tek shoqëria jonë.
“Ne si qytetarë, aktorë politikë, përgjegjësinë duhet ta kërkojmë te vetja dhe pritshmërinë duhet ta kemi te vetja, pra tek shoqëria jonë. Marrëdhëniet duhet t’i kemi strategjike, por përgjegjësia qëndron vetëm tek populli shqiptar. Ne si qytetarë kemi përgjegjësi për mënyrën sesi votojmë, për mënyrën se si sillemi, për pritshmëritë që kemi ndaj qeverisë tonë dhe përgjegjësitë që kërkojmë nga zyrtarët tanë, qoftë në nivel vendor qoftë edhe qendror.”
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Anila Kolgjini.

