"Situata për gratë është shumë e rëndë", shkon në 457 numri i afganëve në Shqipëri: Donim të largoheshim...

457 afganë kanë mbërritur në Shqipëri përmes 5 fluturimeve.

Mësohet se 288 prej tyre janë akomoduar përkohësisht në Qytet Studenti e pjesa tjetër në struktura të hotelerisë në Durrës.

Madje qyteti studenti këtë të dielë kishte marrë një pamje ndryshe.

Duket se fëmijët afganë po ambientohen me ambientet e reja dhe janë përfshirë në lojëra dhe aktiviteteve argëtuese.

Shumica mes afganëve janë veprimtarë të shoqërisë civile, mësues , e gazetarë të cilët ndanë me ne situatën e keqe në Afganistan dhe se qëndrimi këtu do të jetë i përkohshëm për t'u drejtuar më pas SHBA.

"Quhem Xhalil Salih dhe kam ardhur me familjen. Jam nga Afganistani. Natën e kaluar isha në Dubai dhe më pas erdha këtu. Situata në Afganistan është shumë e keqe dhe po bëhet edhe më e keqe. Unë jam një gazetar dhe situata ime është shumë problematike sepse gazetarët janë të terrorizuar nga talibanët. Ata po i vrasin të gjithë."

"Jam mësuese, situata nuk është shumë e keqe por për gratë është shumë e rëndë. Kam ardhur këtu me djalin tim dhe nuk e di sa do të qëndroj, 2-3 javë."

"Situata në Afganistan është e tmerrshme, vërtet e tmerrshme, sidomos për fëmijët. Ne donim të largoheshim sa më shpejt të ishte e mundur sepse ata nuk janë njerëz të mirë. E thonë diçka, por bëjnë diçka tjetër. Për ne ishte e vështirë të qëndronim aty, po qëndroj me 3 fëmijët e mi. Kam qenë mësuese në një institut, ndërsa këtu sigurisht që nuk po bëj asgjë."

"Erdhëm mbrëmë dhe nuk dua që të flas për situatën atje."

Disa prej afganëve preferojnë t'i shmangen kamerave, pasi janë të shqetësuar për pjesën e familjarëve që kanë mbetur atje.

Në ditët në vijim pritet që Shqipëria të presë ë tjerë afganë të cilëve u është ofruar statusi i mbrojtjes së përkohshme.