Humb jetën ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Meta dhe Ruçi mesazhe ngushëllimi

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 73-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Kryetari i Kuendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Berishës.

Në mesazhin e tij, Ruçi thekson se Kolë Berisha ishte një politikan vizionar dhe me integritet, simbol i urtësisë, tolerancës, përkushtimit, veprimit politik e kombëtar dhe kryeparlamentarit mendjehapur, me integritet e të matur

“Me dëshpërim mora lajmin për ndarjen nga jeta të personalitetit të shquar, ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Kolë Berisha ishte një personalitet poliedrik: mësues dhe edukator me influencë, shkrimtar i shquar, njeri i aksionit politik, luftëtar i lirisë, veprimtar i palodhur shoqëror dhe frymëzues i tolerancës e mirëkuptimit, deputet i respektuar dhe kryeparlamentar autoritar. Kolë Berisha i shërbeu Kosovës me vizionin, lidershipin dhe energjitë e tij, përndjekjen prej rregjimit serb, librat dhe veprën letrare, kontributin në LDK dhe në jetën politike, mbjelljen dhe shpërndarjen e frymës së pajtimit politik e njerëzor, si deputet i palodhur dhe së fundi edhe si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kolë Berisha ishte simbol i urtësisë, tolerancës, përkushtimit, veprimit politik e kombëtar dhe kryeparlamentarit mendjehapur, me integritet e të matur. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emtin tim i shpreh familjes, institucioneve dhe popullit të Kosovës ngushëllimet për këtë humbje të madhe,” shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Edhe Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një statusi në Facebook ka përcjellë ngushëllimet e tij në për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit kosovar. Meta thotë se është nëj humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët.

"Me hidhërim mora lajmin për largimin nga jeta të z.Kolë Berisha, politikanit të urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova.

Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella!

Aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, angazhimin jetësor të Kolë Berishës nuk e ndalën as persekutimet dhe burgosjet, për të spikatur si ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-deputet, me kontributin e tij përherë të respektuar për konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.

Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim!

Të prehet në paqe!," shkruan zoti Meta në mesazhin e tij.