Anëtar i një grupi kriminal, arrestohet 21-vjeçari për kultivim të lëndëve narkotike në Vermosh
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar ”Vermoshi” duke goditur një grup të strukturuar kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i këtij operacioni është vënë në pranga shtetasi Astrit Lumaj, 21 vjeç, banues në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe.
21- vjeçari ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim , në formën e një grupi kriminal.
Gjatë kontrollit në vendin e quajtur pylli i Rrihnave në fshatin Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, Malësi e Madhe, në faqen e malit në një zonë të pyllëzuar, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe asgjësuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike, ku dyshohet se janë kultivuar nga ky shtetas në bashkëpunim me katër shtetas të tjerë ku vijon puna intensive për identifikimin , kapjen dhe arrestimin e tyre.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Moskallezim i krimit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
