Tragjedia në familjen shqiptare në Torino, i riu që ndërhyri i pari për t’i shpëtuar rrëfen ngjarjen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje shqiptare në Torino, ku shtëpia e tyre u shemb në tokë si pasojë e një shpërthimi gazi. Si pasojë ka humbur jetën një djalë në moshën 4-vjeçare, ndërkohë që janë plagosur dhe tre persona të tjerë, përfshirë nënën, dhe babanë e të miturit.

Ndërkohë Nasif, një punëtor i ri në një kompani ndërtimi, i cili po punonte në Strada del Bramafame disa metra larg ndërtesës së shembur pak para orës 9, në zonën Madonna di Campagna në Torino, ka qenë i pari që ka ndërhyrë për të shpëtuar pjestarët e familjes shqiptare.

Ndërkohë pas tij mbërritën disa ekipe të zjarrfikësve të Torinos së bashku me oficerët e policisë dhe karabinierët.

Në një intervistë për mediat italiane ai ka treguar se burri kishte tulla mbi trup, ndërkohë që kishte marrë plagë edhe në dorë.

Ai tha se ka shkuar në vendngjarje për t’i ndihmuar pasi ka dëgjuar një burrë që bërtiste.

Intervista:

"Dëgjova shpërthimin dhe pashë zjarrin, kështu që vrapova për të ndihmuar: gjëja e parë që pashë ishte një burrë që bërtiste, i djegur."

Çfarë ndodhi?

“Nuk di shumë, po punoja në magazinë dhe ndjeva si një bombë. Pastaj  pashë zjarrin. Unë menjëherë vrapova për t’i ndihmuar ".

Kur mbërrite çfarë bëre?

"Unë u përpoqa të ndihmoja një burrë, ai kishte tulla mbi trup, i lëviza dhe u përpoqa ta nxjerr nga rrënojat. Pastaj mbërritën zjarrfikësit. Ambulanca e mori atë ”.

Si e vutë re atë? 

“Ai bërtiste, e dëgjova. Zjarri kishte djegur gjithçka . Ai gjithashtu u plagos në dorë "

A e dini sa njerëz kishte përveç atij njeriu? 

“Ishin gjithsej dy burra, gruaja dhe një fëmijë.  Ai që nuk ia doli ”.

A e dëmtuat veten duke u përpjekur për ta ndihmuar? 

"Po për këmbën, por është një gjë e vogël, shpesh lëndohem në punë".

Shpërthimi ka rezultuar fatal për vogëlushin 4 vjeçar të familjes, Aron. Nëna, tridhjetë e katër vjeçe, u nxor nga rrënojat dhe u transportua në spital.

Babai, 40-vjeçar, i cili mbërriti pak më vonë, u transportua gjithashtu në spital në gjendje shoku. 

Mediat italiane thonë se tre persona, përfshirë gruan, janë plagosur, dy në gjendje të rëndë.

Gjithçka ndodhi para orës 9 të mëngjesit. Ndërtesa ku ndodhi shpërthimi ishte një strukturë dykatëshe me gjashtë apartamente ku jetojnë kryesisht familje me origjinë shqiptare dhe rumune, nga të cilat vetëm një pjesë ka mbetur në këmbë.