Në "izolim" nga 13 shtatori të pavaksinuarit në Greqi, të gjitha masat e reja

Duke filluar që nga 13 shtatori qytetarët e pavaksinuar në Greqi do të përballen me një realitet të ri, sipas masave të rrepta,  të shpallura nga qeveria helene.

Ministri i Shëndetësisë së vendit, Vasilis Kikilias, ka njoftuar se nga 1 shatori nuk do të ketë më teste falas për të pavaksinuarit.

Masat e shpallura nga Ministri i Shëndetësisë  në lidhje me të pavaksinuarit:

Nga 1 shtatori,  pezullohen nga puna punonjësit shëndetësorë që nuk janë vaksinuar ose nuk kanë certifikatë që vërteton se kanë kaluar sëmundjen  gjatë  6 muajve të fundit. Vaksinimi është gjithashtu i detyrueshëm për mjekët dhe farmacistët privatë, të cilët do të ndëshkohen nëse nuk vaksinohen.

Sipas informacioneve, kontrolli do të bëhet përmes Regjistrit të Vaksinave dhe me përdorimin e një platforme të re që do të krijohet për kontrollin e kryqëzuar të të dhënave, shkruan Ora News.

Shuma  e gjobës që do të vendoset për personat e pavaksinuar pas 13 shtatorit nuk është përcaktuar ende.

Nga 13 shtatori, punonjësit e pavaksinuar të sektorit publik dhe privat do të duhet t'i nënshtrohen një testi laboratorik javor prej 10 € në sektorin privat, i cili do të mbulohet prej tyre.

Gjithashtu, nga 13 shtatori, dy teste të shpejta në javë janë të detyrueshme për mësuesit e pavaksinuar. Testet e shpejta për nxënësit  do të jenë në dispozicion pa pagesë.

Studentëve u kërkohet të kenë 2 teste laboratorike të shpejta në javë, të cilat kryhen ekskluzivisht në qendrat diagnostike private, me shpenzimet e studentit, 10 euro për test.

Përveç mësuesve dhe akademikëve, punonjësve në turizëm, hotelieri, media, film, teatër, muzikë dhe vallëzim, të cilët nuk janë vaksinuar, do t'u kërkohet të paraqesin dy teste negative në javë, të cilat do t'i paguajnë vetë.

Ata që udhëtojnë me çdo lloj  mjeti brenda vendit duhet të paraqesin një test negativ të shpejtë që është kryer të paktën 48 orë para nisjes me shpenzimet e tyre.

Në kafene, bare, restorante, taverna dhe klube nate që janë në ambiente të mbyllura  mund të hyjnë vetëm të vaksinuarit dhe ata që vërtetojnë se kanë kaluar sëmundjen në 6 muajt e fundit.

Certifikata e vaksinimit ose sëmundjes dhe karta e identitetit do të kontrollohen në hyrje të kompanisë me aplikacionin falas për covid.

Në të gjitha vendet e tjera të punës të mbyllura, punëdhënësi, me ligj, ka të drejtë të dijë se cilët nga punonjësit e tij janë vaksinuar.

Vetëm personat e vaksinuar dhe të sëmurë (deri në 6 muaj pas sëmundjes) do të lejohen të hyjnë në zonat e mbyllura dhe të hapura të stadiumeve.

Në zonat e mbyllura të teatrove, kinemave, muzeve dhe vendeve arkeologjike, hyrja do të lejohet për të vaksinuar, të sëmurë (deri në 6 muaj nga diagnoza) dhe të pavaksinuar të cilët kanë kryer një test të shpejtë laboratorik të antigjenit deri në 48 orë më parë.

Palestrat e mbyllura do të jenë të hapura për të vaksinuarit dhe të sëmurët (deri në 6 muaj pas diagnozës) dhe të pavaksinuarit të cilët paraqesin një testi të shpejtë të antigjenit laboratorik deri në 48 orë më parë.

Përdorimi i  maskës është i detyrueshëm në të gjitha ambientet  e jashtme ku ka grumbullim njerëzish, por edhe në të gjitha ambientet e brendshme.