Kosova i kërkon Shqipërisë kamera borxh për zgjedhjet lokale

Kosova mban më 17 tetor zgjedhjet lokale dhe i ka kërkuar ndihmë Shqipërisë nga ana logjistike për të rritur besueshmërinë e procesit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Kosovën njoftoi se i është drejtuar KQZ-së shqiptare për t'i siguruar kundrejt kthimit 50 kamera të cilat u përdorën në garën e fundit parlamentare.

Në zgjedhjet e 25 prillit,  Shqipëria monitoroi me kamera mbi 5,200 qendra votimi.

“Duke u nisur nga bashkëpunimi i mirë i dy institucioneve tona që kanë mes vete, KQZ e Kosovës ka kërkuar nga KQZ e Shqipërisë huazimin e 50 kamerave regjistruese të cilat janë përdorur në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 25 prill. Qëllimi i këtij huazimi është përdorimi i tyre në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ku bëhet grumbullimi i të gjithë materialit zgjedhor pas ditës së zgjedhjeve si dhe është vendi ku bëhet përpilimi i rezultateve përfundimtare.”

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen pas më pak se dy muajsh për kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale.

Këshilli Gjyqësor vendor dhe institucionet e tjera po verifikojnë mijëra kandidatë për shkelje të ligjit zgjedhor që ua ndalon atyre kandidimin.

“Në këtë nen, njëra nga pikat është që kandidat nuk mund të jetë një person i shpallur fajtor për vepër penale me vendim përfundimtar nga gjykata në tri vitet e fundit, prandaj ne kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të na dërgojë emrat nga lista e kandidatëve, nëse ndonjëri nga kandidatët është i dënuar me vendim përfundimtar për vepër penale nga gjykata në tri vitet e fundit.”

KQZ-ja e Kosovës u ka lënë afat autoriteteve të martën për të vlerësuar përshtatshmërinë e kandidatëve.

Për pjesëmarrjen në zgjedhje kanë kërkuar certifikimin 94 subjekte politike dhe 4,922 individë gjithsej.