Video/ Publikohet momenti i arrestimit Dardan Krivaqës, i riu shoqërohet nga forca të shumta policie
Policia e Kosovës arrestoi sot të dyshuarin për vrasjen e Marigona Osmanit që e ka tronditur dhe e ka ngritur në protesta vendin.
25-vjeçari, Dardan Krivaqa, u shoqërua në mesditë me akuzën e vrasjes me dashje të 18-vjeçares në një fshat të komunës Ferizaj.
Mediat kosovare publikuan momentin kur Dardan Krivaqa me pranga në duar futet me kokë ulur në komisariat.
Shkaqet?
Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja u krye për motive të dobëta, përkatësisht prej xhelozisë dhe pandehjes se bashkëshortja e re po e tradhtonte.
Sipas fakteve që iu paraqitën Gjykatës Themelore të komunës, i dyshuari kryesor e kishte dhunuar psikologjikisht viktimën, më pas edhe fizikisht në praninë e të pandehurit tjetër, Arbër Sejdiu. Më pas të dy e kanë lënë pa shenje jete në dyert e urgjencës.
Përpara përcjelljes së fundit të vajzës, i ati i viktimës tha se ajo qe e frikësuar dhe nuk i kishte treguar për ngatërresat me Krivaqën.
Drejtësia
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sqaroi se 25-vjeçari mbarte akuza që nga viti 2013, por ai i kishte shpëtuar Gjykatës pa u dënuar.
"Unë i bëjë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të bëjë të ditur emrin e gjyqtarit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që shoqëria të kuptojë se kush nga personat zyrtarë që paguhet nga taksat e qytetarëve nuk e ka bërë punën si duhet dhe pse ka ndodhur një rast ti tillë. Krahas dhimbjes së madhe që kemi pasur për humbjen e Marigonës, kemi një skandal të radhës nga sistemi i drejtësisë ku ka mos veprim karshi rasteve kriminale. Është e çuditshme se si një person që është dyshuar apo ka pasur aktakuzën ndjehet i lirë krahas veprave të tjera që ka qenë i dyshuar dhe nuk është mbajtur shqyrtime gjyqësore."
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut falënderoi policinë por edhe qytetarët që ndihmuan me indiciet e tyre në arrestimin e bashkëshortit të 18-vjeçares.
Në qendrën e Ferizajt, ndërkohë, u demonstrua sërish me parulla kundër dhunës ndaj grave dhe u denoncua plogështia e autoriteteve.
Në 24 orët e kaluara, në Kosovë u raportuan 6 raste të tjera dhune bashkëshortore, me gratë ndër viktimat kryesore.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në qytetin e Ferizajt.
