SHBA: Tërheqja nga Afganistani përmbyllet më 31 gusht, evakuimet mbyllen më herët

Presidenti amerikan, Bajden, e ka refuzuar apelin e disa shteteve për shtyrjen e afatit të evakuimit të personave nga Afganistani përtej këtij muaji. Talibani ka thënë se nuk e garanton sigurinë në aeroportin e Kabulit nëse kjo do të ndodhte, dhe u ka bërë thirrje afganëve të kthehen në shtëpi.

Ushtria amerikane gjendet nën presionin e Talibanit për të evakuar të huajt dhe bashkëpunëtorët afganë brenda 31 gushtit.

Grupi fundemantalist sqaroi se shtyrja e datës së zgjedhur nga Uashingtoni do të kishte pasoja, sidomos për shtetasit afganë që janë të varur te aeroporti i Kabulit për ta lënë Afganistanin.

Zabihullah Muhaxhid, zëdhënësi i Talibanit e quajti të padrejtë që amerikanët po largojnë forcën punëtore më të specializuar nga vendi.

"Mos e inkurajoni popullin afgan të largohet. Vendi ka nevojë për kapacitetet e ekspertëve, inxhinierëve, doktorëve, analistëve dhe atyre që janë arsimuar këtu. Në perëndim këta njerëz kanë për t'u trajtuar si punëtorë të zakonshëm."

Presidenti amerikan, Xho Bajden, e diskutoi krizën në Afganistan me liderët e G7-ës, një takim virtual pas të cilit ai tha se është edhe më i vendosur që t'i largojnë trupat e huaja ushtarake sa më shpejt, brenda fundmuajit, përndryshe rreziku i sulmeve do të jetë i lartë.

Nga fillimi i muajit, nga Kabuli janë evakuar me avionë të paktën 75 mijë persona.

Bajdeni tha se ka udhëzuar Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin të përgatitin plane rezervë nëse situata u del nga parashikimet, dhe nëse Talibani do i bllokonte rrugët e evakuimit për afganët dhe të huajt.

"Liderët e G7-ës dhe liderët e BE-së, NATO-s dhe OKB-së të gjithë kemi qasje të njëjtë ndaj Talibanit. Ne biem dakord se legjitimiteti i çdo qeverie të ardhshme varet nga mënyra se si do i përmbushin zotimet ndërkombëtare, që mos ta kthejnë Afganistanin në një bazë terrorizmi. Nuk do bazohemi te fjalët, por te veprimet e tyre."

Talibani mori kontrollin e Afganistanit 10 ditë më parë, dhe megjithëse nuk ka më konflikte të armatosura, OKB-ja raporton se pushteti i ri vijon të jetë i dhunshëm, të ekzekutojë njerëz pa i gjykuar, të kufizojë aksesin e gazetarëve dhe të dobësojë rolin e grave në shoqëri, duke mos i lënë të dalin nga shtëpia apo në punë.

Banka Botërore pezulloi të martën projektet zhvillimore në Afganistan prej shqetësimeve mbi drejtimin e vendit dhe të ardhmen e grave afgane.