Kurti dënon vrasjen e 18-vjeçares: Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur

Pas presidentes Osmani, edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e 18-vjeçares, M.O, në Ferizaj.

Në një  postim në rrjetet sociale, Kurti shkruan se të resë ju ndal jeta në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur.

Duke nënvizuar se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur, Kurti thotë se duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime.

Kurti bën thirrje edhe për një fushatë edukimi  për të ndalur dhunën ndaj grave.

Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Dardan( Emrush) Krivaqa,i dyshuar si autor i vrasjes së të resë, teksa ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e tij.

Ngjarja, e cila ka tronditur Kosovën, ka ndodhur ditën e djeshme, 22 gusht.

18-vjeçarja është dërguar pa shenja jete në spital nga Dardan Krivaqa, 29-vjeç, me të cilin, sipas familjarëve, viktima ishte martuar rreth dy muaj më parë dhe nga Arbër Sejdiu, 32-vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga.

Të dy, menjëherë kanë ikur nga spitali.

Postimi i plotë i Kurtit në Facebook

Një 18 vjeçareje dje iu ndalën përgjithmonë dëshirat dhe ëndrrat. Ajo nuk e humbi jetën në aksident trafiku apo konflikt lufte. Jeta e saj u shua dhunshëm në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur.

Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime.

Nëna dhe baballarë, vëllezër dhe motra, mësues dhe mësuese, zyrtarë të rendit dhe të mbrojtjes së ligjit, qytetarë dhe qytetare të Kosovës,

Ta ndalim dhunën ndaj grave, t’i edukojmë bijtë e vëllezërit tanë se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi, se dhuna është turp që sjellë tragjedi dhe se është e dënueshme me ligj.

Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që ta vënë vrasësin e dyshuar të Marigonës sa më shpejtë para drejtësisë.

U bëj thirrje të gjitha nënave, bashkëshorteve, motrave e vajzave, që të lajmërojnë në polici rastet e dhunës, si edhe mosveprimin institucional për rastet e lajmëruara. Mos heshtni!

Ne nuk mund të jemi spektatorë ndaj të ardhmes sonë. Kemi obligim moral, kushtetues, institucional që të mbrojmë jetën dhe dinjitetin e secilës viktimë të dhunës në familje.