Vajzat e Vllaznisë fantastike, kalojnë në raundin e dytë të Champions League
Vllaznia për femra në futboll është një histori suksesi dhe krenarie për futbollin shqiptar. Ekipi shqiptar u kualifikua në raundin e dytë eliminator të Champions League për femra, i cili është edhe hapi i parafundit drejt grupeve teksa mposhtën me shumë vështirësi dhe drithërima hungarezet e Ferencvaros.
Në sfidën e luajtur në stadiumin “Ludowy” në Sosnowiec të Polonisë, vajzat e drejtuar nga Nikolin Leka, luajtën si të barabarta madje kishin mundësinë për ta mbyllur ndeshjen në 90 minuta por ishin të pafatë dhe vetëm pas 120 minutash lojë që u mbyllën 0-0, kualifikimi u vendos nga penalltitë.
Me një portiere spanjolle, tepër në formë si Anna Buhigas, e cila priti dy 11-metërsha, Vllaznia festoi në fund dhe preu biletën për në raundin tjetër të turneut më prestigjoz të futbollit për femra në Europë, UEFA Champions League.
