Shefi i ri i zjarrfikëses së Gjirokastrës e nis ditën e parë të punës me një zjarr në magazinë

Ditën e tij e parë të punës si shef i Repartit Zjarrfikës të Gjirokastrës, gjeneral Pëllumb Shalari e ka nisur me zjarr.

Një shkarkesë elektrike në kutinë shpërndarëse të linjës së korrentit, ka shkaktuar zjarr në një magazinë ushqimore në qytetin e gurtë, në pronësi të Kristaq Pirpos dhe Aleko Lengos.

Forcat zjarrfikëse, me në krye Shalarin, kanë shkuar menjëherë ne vendngjarje duke bërë të mundur shuarjen  e zjarrit që rrezikonte dhe dy banesa pranë magazinës nëse do të vazhdonte përhapjen.

Nga zjarri ka pasur vetëm dëme materiale në magazinë. Flakët kanë djegur dyshemenë e drunjtë, një printer me kompjuter, kaseta elektrike, tavanet e gipsit dhe dyert.

Sipas kreut të PMNZSH, magazina e pozicionuar në zonën industriale paraqiste rrezik nëse zjarri do të prekte depozitën e madhe të gazit. 

Pëllumb Shalari u emërua shef i zjarrfikësve të Gjirokastrës pas shkarkimit të  Kujtim Bizhgës.

Duket se situata e ditëve të para të gushtit në Gjirokastër me djegien e qindra hektarëve pyje e kullota në Bashkinë Gjirokastër si dhe humbja e jetëve të çiftit në fshatin Asim Zeneli, kanë qenë shkaqet e shkarkimit të tij nga posti i shefit të PMNZSH së Gjirokastrës.