Rikthimi i masave antiCovid në Kosovë krijon radhë të gjata në Morinë

Kosova riktheu kontrollet në kufi me Shqipërinë pas hyrjes në fuqi të masave shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit, çka u reflektua me radhë në pikën Kufitare të Morinës.

Të gjithë qytetarët që vijnë nga vende të konsideruara me risk të lartë, duhet të paraqesin test PCR dhe dokumentacion që nuk janë mbartës të Covid-19 para se të kalojnë kufirin drejt Kosovës.

Udhëtarët nga Shqipëria janë të përjashtuar nga ky rregull.

Shqiptarët që udhëtojnë drejt Kosovës e kalojnë kufirin me procedurën standarde, duke paraqitur vetëm dokument identifikimi.

Edhe Mali i Zi ka rikthyer masat shtrënguese pas rritjes së infektimeve.

Prej datës 21 Gusht, shqiptarët duhet të plotësojnë një nga këto katër kushte për të kaluar kufirin.

-Certifikatë e vaksinimit me dy doza ose me një dozë.

-Test PCR jo më shumë 72 orë.

-Vërtetim që ke kaluar COVID-19 jo me pak se 14 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testimi pozitiv me COVID-19

-Test antigen negativ jo më shumë se 48 orë.

Në rast se personi nuk plotëson asnjë nga këto katër kushte, atëherë ai karantinohet 14 ditë pas futjes në Malin e Zi.

Për të dytën ditë radhazi radhë kishte edhe në kufijtë jugore drejt Greqisë, nga ku ka nisur fluksi në dalje i emigrantëve pas pushimeve.

Pala greke deri rreth mesditës, punoi me vetëm një sportel çka vonon procedurat dhe krijon pritje të gjatë për emigrantët shqiptare.

Testi negativ është kusht kryesor, por në anën greke të gjithë i nënshtrohen një tjetër testi të shpejtë.

Pala shqiptare ndërkohë punon me 6 Sportele, 5 në dalje drejt Greqisë dhe 1 në hyrje.