Mungesa e ujit të pijshëm, UKT nis ndërhyrjet te 9-katëshet pas denoncimit në Ora News
Pas transmetimit të kronikës nga Ora News për mungesën e ujit të pijshëm në zonën e 9-katësheve në Tiranë. UKT ka nisur këtë të premte ndërhyrjet në hapjen e kanalizimeve dhe shtrimin e tubacioneve të reja për zgjidhjen e këtij problemi. Kujtojmë se prej ditësh banorët e kësaj lagjje kanë shprehur ankesa për furnizimin e pamjaftueshëm me ujë të pijshëm as për mbulimin e nevojave më bazike të tyre.
Në qendër të Tiranës, tek pallatet 9 katëshe, problemi më madhor i banorëve të kësaj lagjeje është furnizimi me ujë të pijshëm.
Pas transmetimit të këtij denoncimi në media ka ardhur dhe reagimi nga ana e UKT, e cila ka nisur punimet për zgjidhjen e këtij problemi.
Banorët e një prej lagjeve më të vjetra të kryeqytetit prej disa ditësh vuajnë nga mungesa e ujit në çezmat e tyre, duke e blerë atë jo vetëm për ta pirë, por edhe për ta përdorur për nevojat më elementare.
Shumë prej tyre shprehen se detyrohen të mbushin ujë pranë zones së Pazarit të Pazarit të Ri.
Kjo problematikë shqetësuese ka filluar prej disa ditësh, dhe ata ishin ankuar edhe pranë institucioneve përgjegjëse, por duhej denoncimi në media që punonjësit e ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë të nisnin punimet për rregullimin e defektit.
Punonjësit e UKT këtë të premte kanë hapur kanalizmet për shtrimet e tubacioneve të reja, çka pritet t’i japë edhe zgjidhje problemit.
Nuk dihet për sa kohë do të zgjasin punimet, apo nëse problemi do të marrë zgjidhje dhe banorët do kenë furnizim me ujë të pijshëm në çezmat e tyre.

