Afganët, Demalia: Asnjë fluturim se vendet e treta s'pranojnë strehimin, Shqipëria shklyhet dhe hap portat


Situata kaotike e krijuar në aeroportin e Kabulit me bashkëpunëtorët afganë të Perëndimit për analistin Ilir Demalia është përgjegjësi e administratës Biden.

Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Demalia thotë se tërheqja e trupave amerikane ishte e domosdoshme por ajo që ndodhi dhe vazhdon të ndodhë pas kësaj ishte një katastrofë.

Demalia: Kjo luftë ka kushtuar para pafund, ka kushtuar jetë njerëzish, janë vrarë rreth 7 mijë ushtarë amerikanë dhe kontraktorë që kanë punuar në Afganistan, dhe momenti i fundit është një dështim i Inteligjencës sipas analistëve dhe vetë presidentit Biden. Sigurisht që Biden do të tërhiqej dhe gjithë amerikanët ishin dakord që kur Trump bëri marrëveshjen. Ishte një humbje kohe, monetare dhe humbje jetësh njerëzish që të vazhdonte më tej lufta në Afaganistan. 68% e amerikanëve ishin dakord të tërhiqeshin edhe gjatë fushatës presidenciale, si Biden dhe Trump ishin dakord që të tërhiqeshin. Por kjo që ndodhi gjatë tërheqjes është përgjegjësi vetëm e Biden. Ishte katastrofë çfarë ndodhi dhe çfarë po vazhdon të ndodhë.

Publicisti tërheq vëmendjen se ka 10 orë që nuk bëhet asnjë fluturim sepse nuk ka vende të treta që të pranojnë uljen e afganëve.

Kurse Shqipëria, shton ai, shklyhet, hap portat.

Demalia u bashkohet kritikëve ndaj qeverisë Rama, duke u shprehur se Shqipëria duhet t'u përmbahet detyrimeve të NATO-s por aq sa ka kapcitetet.

Demalia: Unë nuk jam kundër sepse kjo është një krizë humane dhe duhet të jemi të gjithë humanë. Por problemi është se unë nuk mund të vras veten time për të shpëtuar ty. Shqipëria me mundësitë që ka, kapacitetet që ka, sigurisht do të paguajnë SHBA-të, dhe unë jam dakord që të marrim por pse ne jemi gjithmonë të parët për të keqen tonë? Pse nuk merr Greqia, Serbia, Italia, Franca, Gjermania. Jam dakord të kryejmë detyrimet tona si vend i NATO -s por sipas mundësive dhe kapaciteteve tona. Këto janë shtete shumë të fuqishme, pse nuk marrin këto? Pse Shqipëria duhet të dalë flamuri i parë kur është fjala për lakeizëm? Që të sigurojnë  pushtetin e brendshëm qeveritarët e Shqipërisë. Është e pafalshme ajo që ka ndodhur në Shqipëri, që nxirren studentët për tu futur afganët. Ku ndodh kjo? Ku janë profesorët, rektorati i universiteteve, ku janë këta intelektualët e mëdhenj? Ku ka ndodhur të marrësh studentët dhe ti nxjerrësh si lecka përjashtë nga konviktet. Ti je vendi më i varfër i Europës, vendi më pa siguri, vendi më katastrofë i Europës. Ja janë me Covid ata, po të jenë 1000 njerëz me Covid çfarë bëhet? Shqipëria nuk është në gjendje të sigurojë qytetarët e vet, vaksinat anti-Covid për qytetarët e vet.Të gjithë pushtetarët e Shqipërisë i kanë bërë këto veprime dhe Amerika duhet të mësojë nga Afganistani që demokracia nuk eksportohet, shteti i së drejtës nuk eksportohet. Janë shpenzuar 350 milion dollarë në ditë në luftën në Afganistan, triliona dollarë. Ku arritëm? Aty ku ishëm.Prapë erdhën talibanët në fuqi.

E ndërsa për problemet e brendshme nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, për afganët edhe opozita ishte në unison me qeverinë.

Demalia: Po pse në opozitë mos janë burra më të mirë? Mendoni se opozita mendon për Shqipërinë? Kjo opozitë ka bërë të njëjtën gjë përpara.Nuk jam kundër se ata janë njerëz dhe humaniteti duhet të na bashkojë por problemi është se nuk kemi transparencë. Nuk kemi shifra dhe asgjë dhe thotë hajde që të forcojë pushtetin Edi Rama. Do ti kthehet në bomerang edhe Edi Ramës kjo nesër. Të gjitha këto që po ndodhin në Lindjen e Mesme me këto regjime që kanë qenë totalistare ose janë autoritariste sot, që janë të zhytyra nga korrupsioni, krimi dhe lidhjet me krimin, përfudimi do të jetë shumë i keq.

Kosova gjithashtu është ndër vendet e pakta të Ballkanit që është ofruar të strehojë refugjatë afganë.

Demalia: Shqiptarë janë edhe ata në Kosovë. Në Amerikë janë 50 shtete, kur vjen puna çdo shtet i thotë qeverisë qëndrore JO për gjëra që janë brenda kompetencave të tyre. Ka një autoritet, ka një integritet.

Hapjen e portave të Shqipërisë sipas tij nuk e përligj as teza se shqiptarët janë vetë popull refugjat.

Demalia: Nuk është problemi se shqiptarët kanë qenë refugjatë dikur, shqiptarët janë karvanë refugjatësh dhe sot, nuk janë në atë gjendje si në Afganistan. Fakti që 70 e ca % e studentëve duan të largohen nga Shqipëria tregon se në njëfarë mënyrë ne karvan refugjatësh jemi. Kjo ka ardhur nga politikat që janë zhvilluar në Shqipëri gjatë gjithë historisë sonë, historia jonë është histori e llumit politik.

Pyetjes se pse SHBA nuk i tërheq direkt drejt saj shtetasit afganë, publicisti i jep këtë përgjigje.

Demalia: E para sepse nuk dihet se çfarë njerëzish mund të infiltrohen në gjithë këto turma. E dyta është çështja e Covidit, duhet të bëjnë analizat.

Sa i takon rrezikut mund të mbartë strehimi i shtetasve afganë në vendin tonë me talibanët tashmë në pushtet, Demalia thotë se është i shumëanshëm.

Demalia: Rreziku mund të jetë i shumëanshëm, nuk kemi kapacitete dhe strukturat e mbrojtjes. Ne nuk po mbrojmë dot veten tonë brenda vetëvetes. Jemi çorapë brenda vetes. Çfarë mund të ndodhë nesër nëse forcohen talibanët, nëse hyn prapë në lojë Al-Qaeda, çmund të ndodhë në rast të një sulmi terrorist, ku e di ti çfarë të infiltruarish mund të kesh mes atyre që vijnë për strehim, edhe atë do Shqipëria. Nuk e kuptoj, nuk e kuptoj as krenarinë që thotë kjo biba ministre që thotë ne japim modelin.