Si u fal toka e studentëve, trualli i konvikteve iu dha kompanisë private, nuk u pyet Bashkia

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar të tjera shkelje në rezidencën numër dy të studentëve. Një sipërfaqe trualli i është dhënë një kompanie private në shkelje me ligjin. Po ashtu dhe për investimin në konvikte nuk është mbajtur dokumentacioni i marrjes në dorëzim.

Në rezidencën numër dy të stydentëve shkelje nuk ka vetëm me punësimin dhe tenderat.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar dhe një kontratë për këmbimin e një prone, e cila është bërë në kundërshtim me ligjin.

Bëhet falë për një truall prej 110 m2 në të cilën ndodhet dhe një oxhak me sipërfaqe ndërtimi 84 m2.

Në këmbim firma që do të investonte do ti jepte rezidencës një tokë me sipërfaqe prej 70 m2 , përfshirë saj janë edhe sipërfaqet funksionale që do të shërbente si mensë.

Auditi ka kontatuar problem me sipërfaqen totale duke parë dokumentet e Kadastrës.

Po ashtu shtohet se kontrata e bashkëpunimit është miratuar nga Këshilli Mbikqyrës pa u zhvilluar mbledhja dhe se për veprimet nuk është njoftuar Këshilli Bashkiak Tiranë.

Pas analizës së të dhënave, KLSH i kërkon Këshilli Bashkiak, të analizojë situatën e krijuar në lidhje me këtë pronë, të nxjerrë përgjegjësitë për lidhjen e marrëveshjeve dhe të marrë masa për ndjekjen administrative dhe ligjore për tejkalimin e kompetencave nga administratorët dhe Këshilli Mbikëqyrës.

Shkelje janë gjetur dhe në investimin për rehabilitimin e katër konvikteve.

Punimet kanë përfunduar në vitin 2018, por rezulton se nuk ka asnjë dokumentacion në lidhje me marrjen në dorëzim të punimeve në aktivin e shoqërisë.

Edhe administrimi i fondeve publike ka pasur jo pak probleme. Në 16 raste ka pasur vonesa në pagesën e punimeve të kryera nga kompanitë.

Kjo sipas KLSH tregon se se në momentin e lidhjes së kontratës, Autoriteti Kontraktor nuk ka patur mjetet e mjaftueshme financiare.

Ndaj në raportin e auditimit kërkohet që të ndërpriten këto sjellje.