Shtyrja e vitit shkollor, PD: Ministria e Ç'arsimit ka dështuar me mësimin online, do sjellë boshllëqe të tjera për nxënësit
Ministra e Arsimit, Evis Kushi ditën e sotme, 20 gusht njoftoi shtyrjen e nisjes së vitit të rri shkollor. Kushi u shpreh se shkollat do të hapen në 1 shtator por mësimi do të jetë fakultatit deri në 27 shtator. Lidhur me këtë deklaratë të ministres ka reaguar Partia Demokratike e cila e cilëson si një dështim të mësimit online.
Me anë të një deklarate PD shprehet se shtyrja e nisjes së procesit mësimor vetëm sa do të krijojë hendeqe të tjera për nxënësit.
Deklarata e plotë:
"Shtyrja e vitit shkollor dëshmon se Ministria e Ç'arsimit ka dështuar me mësimin online dhe mësuesit ndihmës për familjet me fëmijët me aftësi te kufizuar.
Boshllëqet nga dështimi i mësimit online dhe mangësitë në mësues ndihmës nuk mund të zgjidhen duke shtyrë datën e nisjes së procesit mësimor, e cila ne vetvete nuk bën gjë tjetër veçse krijon hendeqe te tjera për nxënësit, sa i përket njohurive për vitin e ardhshëm mësimor. I gjithë ky ç'organizim vjen pikërisht nga paaftësia për të menaxhuar situatën përballë pandemisë, si me mësimin online, ashtu edhe me mësuesit ndihmës.
Detyra e qeverisë ishte të bënte mësim plotësues gjatë verës, kur infektimet ishin të pakta. Ndërsa shtyrja e tanishme e mësimit do të ketë efekte zinxhir për mësimdhënien, për familjet, në kushtet e rritjes së kurbës së infektimeve në vjeshtë. Asnjë mësim nuk nxorrën nga viti i shkuar, përkundrazi, vijojnë të veprojnë pa plan, duke lënë në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit."
