Shkollat hapen me 1 shtator, por frekuentimi fakultativ deri më 27 shtator, shtyhet nisja e vitit të ri shkollor

Ministria e Arsimit ka vendosur që viti i ri shkollor 2021-2022 të fillojë në datën 27 shtator.

"Kemi vendosur përfundimisht që viti i ri shkollor 2021-2022 të mos fillojë në datën 13, por në datën 27 shtator. Shkolla do të jetë e hapur që në datën 1 shtator dhe mësuesit do të jenë aty me kohë të plotë. Gjatë kësaj periudhe do të zhvillohet jo vetëm mësimi plotësues, por ne do të kërkojmë nga të gjitha shkollat që të hartojnë një program të detajuar," tha Kushi.

Titullarja e ministrisë së Arsimit bëri të ditur se shtyrja është bërë pas një analize të situatës së vitit të kaluar me qëllimin për tu dhënë më tepër mundësi nxënësve dhe mësuesve për zhvillimin e orëve të mësimit plotësues me qëllim përmbushjen e mangësive të krijuara nga mësimi online për shkak të pandemisë.

"Na erdhën plot reagime dhe komente nga mësues dhe prindër me shqetësimin thelbësor se kjo periudhë, praktikisht vetëm 7 ditë mësimi janë të pamjatfueshme për të plotësuar mangësitë e krijuara nga viti shkollor i vështirë gjatë pandemisë," tha Kushi. 

Pavarësisht datës së përcaktuar për nisjen e vitit shkollor Evis Kushi bëri të ditur se institucionet arsimore do të jenë të hapura që nga 1 shtatori për të gjithë nxënësit që kanë interes për zhvillimin e orëve plotësuese.

Shtyrja e nisjes së procesit mësimor sjell edhe shtyrjen e përfundimit të vitit shkollor.

Nga klasa 1-9 mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 8 në datën 17 qershor 2022.

Për arsimin e mesëm mbyllja e vitit shtyhet nga data 15 në 24 qershor 2022.

Ndërsa për maturantët, pra klasa e 10 mbyllja shtyhet nga data 1 në 8 qershor 2022.