Afganët në Shqipëri, Kadilli i kujton Ramës majmunin në pemë dhe kritikon shqiptarët për deklararat jomikpritëse
Ish-kandidati për kryetar të PD-së, anëtar në detyrë i kryesisë së kësaj partie, Fatbardh Kadilli, duke komentuar vendimin e qeverisë shqiptarë për të strehuar shtetas afganë thotë se fatkeqësia e këtyre të fundit i përket gjithë njerëzimit dhe Shqipëria e ka detyrim si anëtare e NATO-s.
Në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, Kadilli kritikoi edhe qëndrimin e qytetarëve shqiptarë kundër tyre, duke kujtuar se jemi një komb që kemi prodhuar 1.5 milionë refugjatë në 30 vite.
Kadilli: Fatkeqësia e afganëve është një fatkeqësi që i përket të gjithë njerëzimit dhe jemi të detyruar së pari anëtar të NATO-s. Tërheqja nga atje e NATO-s është me detyrime dhe ne kemi detyrime që duhet ti respektojmë. Pra së pari kemi detyrimin si vend anëtar i NATO-s të impenjuar në Afganistan por edhe sikur të mos ishim anëtarë të NATO-s do të duhet të merrnim përgjegjësitë tona dhe së dyti është një detyrim moral, nder i çdo shoqërie që ti përgjigjet njerëzve në nevojë edhe në aspektin thjesht humanitar. Ne kemi pritur refugjatë gjithmonë, rasti rekord është i të adhurve nga Kosova, kemi dhe traditën dhe përvojën. Çfarë ka ndodhur si debate nuk më pëlqejnë. E para debati i qytetarëve të frymëzuar nuk e di nga se që paragjykojnë sjelljet qoftë të shtetit shqiptar, qeveri dhe opoziotë dhe shoqërisë shqiptare në terësi. Një popull që ka prodhuar në 30 vitet e fundit më shumë se 1.5 milion refugjatë nuk i ka hije, është shëmti të dëgjojmë që nga ky komb, nga ky popull të dalin edhe deklarime jomikpritëse.
Shumë shtete kanë refuzuar ti përgjigjen emergjencën humanitare duke e vlerësuar një përgjegjësi të SHBA-së. Por Kadilli thotë se Shqipëria i detyrohet SHBA-ve për sigurinë, ekzistencën e Kosovës si shtet dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve kudo në Ballkan ndaj edhe duhet t'ia shpërblejë.
Kadilli: Secili shtet ka përgjegjësitë dhe angazhimet e veta. Edhe shkuarja në Afganistan apo Irak kanë qenë vendime të forta të qeverisë shqiptare dhe në mbështetje gjithmonë të qeverisë amerikane. Në të dy rastet Shqipëria ka mbajtur flamurin e mbështetësve edhe pse një vend i vogël, është përfaqësuar në proporcion me popullsinë shumë më tepër sesa i ka fuqitë e veta. Edhe përgjegjësitë në NATO në këto raste do të duhet ti tregojmë edhe si mirënjohje që kemi ndaj NATO-s dhe SHBA që në radhë të parë garantojnë sigurinë e shtetit shqiptar, garantuan ekzistencën e shtetit të dytë shqiptar, Kosovës, dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen në Ballkan. Është një detyrim shumë i madh që ne duhet ta shpërblejmë. Duke qenë dhe një popull që ka prodhuar refugjatë do të duhet të kishim dhe ndjeshmërinë më të lartë ndaj kësaj katastrofe humanitare.
Përkundër kësaj, ai thotë se Rama si në çdo rast po kërkon ta shfrytëzojë për përfitime personale ndaj edhe e paralajmëron të bëjë kujdes.
Kadilli: Sjellja që manifeston Rama është për ta kthyer në benefit personal por bashkë me situatën që merr përsipër është një mjershtër që të luajë me komunikimin për ta kthyer çdo ngjarje në favor të vet për të tërhequr vëmendjen. Por kur ekspozohesh shumë, si majmuni që kur ngjitet në pemë i del zbuluar pjesa poshtë, kështu që nuk është mirë që të hapet sepse ka shumë gropa në ato që shpall. Fillon me 300 dhe pastaj i shkon numri në 1000, pastaj 2000-3000 dhe bëhet fjalë ndoshta dhe për 20 apo 30 mijë. Kjo tregon se ka një paqartësi ai vetë ose ka një pasiguri ai vetë sesi do t'ua servirë ai shqiptarëve. E dyta, e shpall si detyrim të NATO-s dhe pastaj i vjen keq që njerëzit thonë pse duhet ti respektojmë ne kaq shumë detyrimet e NATO-s. Janë disa gabime. Ka gjëra të tjera shqetësuese. Kam dëgjuar që po merren masa për të parandaluar Covidin që mund të mbartin të ardhurit por ne nuk dimë akoma sesi dhe si do të bëhet. Vetë ai dhe qeveria ngrejnë alarmin për gjëra që kthehen në shqetësim.
Ekspertët e sigurisë kanë shprehur shqetësimin për strehimin e afganëve në Qytet Studenti apo në hotelet e Durrësit dhe Beratit, por Kadilli thotë se ky akomodim është i përkohshëm.
Kadilli: Gjithmonë të ardhurit përbëjnë një shqetësim sepse njerëzit nuk janë mësuar por ti paragjykosh si persona që do të krijojnë vështirësi në përshtatjen e tyre me kulturën shqiptare kjo më duket e tepërt, një paranojë ose për tu bërë interesant.Çdo akomodim në hotel dhe Qytetin Studenti do të jetë i përkohshëm, do të ketë ndoshta akomodime të tjera dhe nuk besoj se ardhja e 1000 apo 3000 azilkërkuesve nga Afganistani që janë nga një listë e përzgjedhur si bashkëpunëtorë të organizatave ndërkombëtare apo SHBA do të jenë potencial rreziku. Kjo është të kërkosh rrëmujë kot. Ne i kemi 4000 muxhahedinë dhe nuk shihen nëpër Tiranë, nuk kanë qenë shqetësim. Dhe për ta u ngritën shqetësime të tilla. Ishin në Tiranë për muaj dhe vite derisa u ndërtua kampi dhe nuk i pamë të ishte shqetësim. Opozita socialiste ka bërë gabim me ta dhe nuk kemi pse të bëjmë gabim ne sot dhe të përhapim panik, të kërkojmë transparencë po. Shqipëria ka detyrime dhe PD i mbështet detyrimet.
E ndërsa statusi me të cilin afganët do të vijnë në vendin tonë nuk dihet ende, Kadilli është i bindur se nuk do të qëndrojnë për një kohë të gjatë duke argumentuar dhe arsyet.
Kadilli: Asnjëherë Shqipëria nuk ëhstë një atraksion, çdo azilant pasi shpëton kokën fillon të mendojë për një vend ku mund të integrohet dhe Shqipëria nuk i ka hapësirat pëër integrimin qoftë edhe për faktin se gjuha shqipe nuk është fort e lehtë dhe që përdoret vetëm në Shqipëri apo në Kosovë. Nuk mendoj se do të jenë për një kohë të gjatë.
Sa i takon zhvillimeve politike dhe aksionit të opozitës në shtator, Kadilli thotë se para se PD të mendojë për përballjen me mazhorancën duhet të zgjidhë problemet brenda vetes, përfshirë raportin me liderin historik Berisha.
Kadilli: Basha ka deklaruar luftë kohë përpara dhe vazhdon të jetë me të njëjtën retorikë. Por PD e ka më të rëndë atë që është prodhimi i saj i vjeshtës. Kemi akoma për të zgjidhur raportet me liderin historik, mos të fshihemi pas gishtit, raportet me SHBA. Jemi në pozitë të vështirë dhe kryetari po hesht. Nuk mund të shkojmë symbyllur në legjislaturën e re dhe pa një platformë konkrete.