Dita e Ashures, Baba Mondi: Në këto kohë të vështira, duhet të hapim zemrat tona e të jetojmë në paqe
Besimtarët bektashinj në mbarë botën kremtojnë Ditën e Ashures. Ne Tiranë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përcolli një mesazh të posaçëm në këtë ditë përkujtimi për betejën e Qerbelasë.
"Pas 10 ditësh sakrificë për të rënët e Qerbelasë do lind një shpresë e re për të gjithë ne. Të duam e të respektojmë njëri-tjetrin, familjen, shoqërinë dhe mbi çdo gjë, vendin ku jetojmë. Përballë sfidave dhe mundimeve gjithmonë ka një ditë shprese që rilind e duhet të lulëzojë në zemrat e të gjithëve ne."
Ai bëri thirrje për më shumë mirësi mes njerëzve.
“Apeli jonë mbetet më shumë: mirësi, paqe, dashuri mes njerëzve, pa dallim race, ngjyre, ideje apo feje. Në këto kohë të vështira, duhet të hapim zemrat tona e të jetojmë në paqe e në vëllazëri me njëri-tjetrin e me Zotin. Të duam e të respektojmë njëri-tjetrin në vendin ku jetojmë. Dëshmorët e Qerbelasë na qofshin në ndihmë të gjithëve e Zoti Lart na bekoftë!”
Dita e Ashures konsiderohet nga besimtaret bektashinj si moment përkujtimi për Imam Husejnin, dhe martirët e tjerë të betejës së Qerbelasë te ndodhur rreth 1400 vite më parë. Besimtarët bektashinj kane marre urime nga drejtues të shtetit dhe politikës.

