“Veliaj po shkatërron monumentet”, aktivistët para Sarajeve të djegura paralajmërojnë padi tjetër në SPAK
Mesnatën e së hënës Sarajet e Tiranës u përfshinë nga flakët duke rrezikuar një nga Monumentet më të rëndësishme historike të kryeqytetit.
Në një kohë kur nuk ka asnjë rezultat sa i përket ndëshkimit të ngjarjes në fjalë disa aktivistë filluan këtë të mërkurë një protestë për mbrojtjen e Monumenteve Kulturore.
Nga protesta aktivisti Sazan Guri teksa kërkoi ndëshkimin e autorëve të vënies së zjarrit paralajmëroi dhe një kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili sipas tij po shkatërron Monumentet Kulturore të qytetit.
"I bëjmë thirrje SPAK që nëse do vepra kriminale janë pikërisht këto, djegin dhe vrasin çdo natë."
Në protestë nuk mungoi as revolta e aktivistëve të cilët nuk i kursyen akuzat për shkatërrimin e qëllimshëm të Tiranës.
Sarajet në qendër të Tiranës u përfshinë nga flakët pak para mesnatës së të hënës.
Ngjarja është cilësuar si e qëllimshme për ti hapur rrugë ndërtimit të pallateve në truallin ku qëndron Monumenti i Kulturës i kategorisë së parë.
Madje aktivistët e shoqërisë civile kanë akuzuar se qëllimisht ndërtesa ishte lënë pa roje për të shkatërruar dhe këtë objekt.

