"Reciprocitet…", Çoçoli thotë se Shqipëria duhet të marrë investime nga SHBA në këmbim të strehimit të afganëve


Qeveria shqiptare i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-ve për të pritur qytetarë afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga talibanët që kanë marrë kontrollin e Afganistanit.

Detajet janë të pakëta rreth këtij vendimi sikundër është i paqartë dhe numri i afganëve që do të strehohen në vendin tonë.

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, në një intervistë për Ora News me gazetaren Anila Zyberaj thotë se Shqipëria ka detyrime ndaj NATO-s dhe SHBA por thekson se do të duhej që edhe vendi ynë të përfitonte diçka.

Si shembull sjell rastin e armëve kimike të Sirisë.

Çoçoli: Na duhet të mbajmë disa përgjegjësi dhe detyrime përsipër. Qeveria jonë kishte mundësi të bënte, pavarësisht se mund të tingëllojë cinike, një lloj..."dakord unë po i mirëpres këto refugjatë afganë, është diçka njerëzore por nga Aleanca dhe sidomos nga partneri jonë strategjik SHBA çfarë përfitimesh do të kem?"

Edhe pse tingëllon cinike kështu është negociuar në krizën e armëve kimike në Siri, qeveria jonë ra dakord pastaj ishte një reagim mbarëpopullor që u tërhoq. Por në momentin e rënies dakord, ishte aleati ynë strategjik SHBA, që ofruan përfitimet që do të kishim dhe në nivel të investimeve, flitej për dhjetëra milionë dollarë në atë kohë për ekonominë tonë. Tek e fundit mikpritja e disa refugjatëve, pavarësisht sesa mund të jetë numri, qeveria me kreun e saj thotë se janë disa qindra dhe vetëm në nivel tranziti, do të qëndrojnë pak kohë te ne dhe pastaj do të largohen por këtë nuk e dimë tamam si do të jetë, nuk e dimë numrin e saktë nëse do të jenë disa qindra apo disa mijëra dhe kjo është një kosto për ekonominë dhe shoqërinë tonë.

Jemi dakord ta paguajmë por një lloj reciprociteti duhet të jetë si në rastin e krizës së armëve kimike. Mirë do të ishte të diskutohej dhe negociohej pavarësisht se tingëllon cinike. Por jemi një vend që kemi problematikat tona ekonomike, me nevojë të fortë për t'u ndihmuar. SHBA për shkak të këtij partneriteti që e kemi treguar gjithnjë se jemi ta gatshëm ta realizojmë, u detyrohemi shumë amerikanëve, mirë do të ishte që edhe nëse ata nuk e kanë menduar qeveria jonë t'ua bëjë me dije. Deri tani nuk ka asnjë tregues që diçka e tillë ka ndodhur apo do të ndodhë në të ardhmen.

Çoçoli foli edhe për ndërtimin e Unazën e Re e cila vazhdon të "gëlltitë" paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Çoçoli: Historia e Unazës së Re është një histori shumë e trishtë për interesat e taksapaguesve shqiptarë. Dy lote të mëpaershme i ishin dhënë një kompanie fantazmë, DH Albania, 30 milion euro, ishte një skandal i mirëfilltë. Tani është shtuar shumë kostoja e lotove të tjera. Duhet parë me shumë kujdes pasi në rast se ky shtim nuk justifikon investimin e kryer jemi në raste abuzivizmi. Qeveria e ka për detyrë të bëjë transparencë të plotë. Kemi raste të freskëta të abuzimit, tenderi për uniformat e policisë.

Unaza e madhe e Tiranës do t'i kushtojë buxhetit të shtetit edhe 62.5 milionë euro, të cilat do të paguhen për ndërtimin e tre kilometrave.

Kujtojmë se edhe më herët janë ngritur akuza se për një kilometër të këtij aksi paguhen 20 milionë euro, një shifër kjo mjaft e lartë.

ARRSH ka publikuar në agjencinë e prokurimeve publike hapjen e garës  dhe kompanitë do të kenë afat deri në 16 shtator për të dorëzuar dosjet.