"Me kë tallen? Me popullin", në Nartë të Vlorës të thahet buza për ujë, të moshuarit me bidonë në krah

Është zemërata e nënave të mbetura në Nartë të Vlorës për mungesën e ujit të pijshëm.

"Turp i madh, nuk kanë ardhur fëmijët sivjet, ngelën plakat këtu. Jemi të gjitha vetëm," thotë një e moshuar.

Prej gati katër muajsh, thonë se çezmat as nuk u pikojnë.

Për të shuar etjen, ujin e blejnë ose duhet të marrin bidonët në krah tek çezma e fshatit që rrjedh vetëm në mëngjes herët.

"Tre muaj, katër muaj pa ujë. Gjynah nga Perëndia, jemi plaka dhe bredhim për ujë," thotë një e moshuar.

Për tu larë e shërbime të tjera ujin, thonë se e blejnë me bote ku një i tillë kushton deri 1500 lek.

"Për të pirë e blemë, nuk na dalin," thotë e moshuara.

"Një ditë po, një ditë jo. Nga ujësjellësi s'ka kanë thënë asgjë," thotë një banor.

Theksojnë se faturat i kanë paguar rregullisht, ndaj nga ujësjellësi i Vlorës kërkojnë zgjidhje për mungesën e ujit që siç thonë po çon fshatin drejt braktisjes së plotë.

"Me kë tallen? Me popullin. Turp i madh," thotë e moshuara.

Për drejtuesit e Ujësjellësit problematika është e trashëguar dhe zgjidhje shihet një ndërhyrje në rrjet.

"Është një projekt i cili është zhvilluar ka shumë vite dhe nuk është efiçente ajo lloj shpërndarje. Këtë problematikë besojmë ta zgjidhim."

Por ndërsa ende nuk ka asnjë konkrete, të moshuarve në Nartë do tu vijojë tu thahet goja për një pikë ujë në mes të vapës.