"Afganët të strehohen në pallatet bosh të Tiranës", Çepani: Ku do të shkojnë studentët në tetor?

Strehimi i shtetasve afganë që pritet të mbërrijnë nesër në Shqipëri në konviktet e studentëve në Tiranë nuk po shihet si zgjidhje e mirëmenduar nga strukturat shtetërore.

Edlira Çepani, aktiviste për të Drejtat e Njeriut dhe Koordinatore Kombëtare e Rrjetit "Barazi ne Vendimmarrje", në një postim në facebook shkruan se në vend që të nxirreshin studentët nga godinat në prag të fillimit të vitit të ri universitar do të ishte shumë më mirë të shihet mundësia e akomodimit të afganëve në pallatet e reja të pabanuara.

"Ketu afer shtepise sime jane nja 10-12 pallate qe jane ndertuar prej kohesh e jane bosh (normal se s'ka më njerez qe t'i blejne, aq popullsi ka Shqiperia...nejse po ndertohen dhe nja 8 te tjere nderkohe...). A nuk do ishte me normale te perdoreshin keto per te strehuar refugjatet dhe jo te nxirreshin per leckash studentet nga qyteti studenti? Se mire tani, po ne Tetor kur te filloje universiteti, ku do rrine studentet?? Kaq pak vlere kane te rinjte e ketij vendi sa hidhen jashte si lecka per t'u zevendesuar me refugjate? Ka plot pallate Tirana qe jane bosh, kjo eshte zgjidhja. Nese nuk mjaftojne, besoj se ata qe kane nenshkruar per te marre refugjate i kane shtepite mjaftueshem te medha per te mikpritur disa ne shtepite e tyre".

Sipas Çepanit, studentet kane kaluar pafund veshtiresi vitin e kaluar dhe nuk mund t'i sakrifikojme edhe nje vit tjeter.

 "Zgjidhje te tjera ka plot" përfundon ajo.

Edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, është kundër strehimit të afganëve në konviktet e studentëve duke propozuar modelin e Maqedonisë së Veriut e cila do ti akomodojë në hotele.

"Afganet:Shqiperia perze studentet, ndersa Maqedonia i sistemon ne hotele!Sipas Zerit te Amerikes: "Kryeministri maqedonas Zoran Zaev i tha një televizioni të Shkupit se afganët do të vendosen në hotele dhe motele, ndërsa shpenzimet do t’i mbulojë qeveria amerikane".Ndersa ne Shqiperi jane larguar studentet dhe janë zbrazur 6 godina te Qytetit Studenti.Maqedonia ka dhene zgjidhjen e nje shteti serioz dhe te organizuar ndersa Shqiperia e qeverisur nga rilindja vetem ç'organizim, propagande dhe zgjidhje te çmendura".

Grupi i parë i afganëve pritet të mbërrijë gjatë ditës së nesërme në Shqipëri. Fillimisht ishte planifkuar që mbërritja të ishte sot në mbrëmje, por ky variant u anullua, për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul, të cilat kushtëzojnë ndryshime të planeve nga ora në orë.

Bëhet fjalë për afro 300 deri 350 persona, kryesisht gra, aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan. Avioni që do t’i sjellë, është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur dhe disa tenda. Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetrët afganë, do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.