Turisti nga Holanda me shpejtësi mbi 200 km/h në autostradën Levan-Vlorë, gjobitet 40 mijë lekë
12 drejtues mjetesh dhe motomjetesh janë arrestuar në flagrancë përgjatë 24 orëve të fundit, nga të cilët 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 45 leje drejtimi, nga të cilat 31 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Në autostradën Levan-Vlorë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, shërbimet e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore kanë konstatuar shtetasin E.O., 41 vjeç, banues në Holandë i cili drejtonte automjetin tip Benz me shpejtësi 202 km/h. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me masë administrative 40.000 lekë të rinj.
Në rrugën interurbane Tiranë- Durrës, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga Policia Rrugore e Tiranës është konstatuar me radar automjeti tip Benz që drejtohej nga shtetasi F.G, banues në Tiranë që qarkullonte me shpejtësi me 156 km/h. Policia Rrugore e ka ndëshkuar me masë administrative 15.000 lekë të rinj, pezullim të lejes së drejtimit 2 muaj dhe zbritje 3 pikë nga Leja e Drejtimit.
Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1579 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Në përfundim Policia Rrugore lëshon dhe një apel për përdoruesit e rrugëve.
"Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, qëndroni në radhë kur lëvizja është e ngadaltë për shkak të fluksit të lartë të automjeteve, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep. Në çdo aks rrugor dhe qendra urbane ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, radarë, dronë, kamera dhe aparate fotografike".

