"Si ke qenë e në çfarë mysybeti të bonë", Demalia i keqardhur për djegien e Sarajeve: Tirona s'ka më identitet

Publicisti, Ilir Demalia, ka reaguar ashpër për djegien e një nga objekteve kryesore historike në qendër të Tiranës, i njohur edhe si sarajet e toptanasve.

Teksa ka publikuar foton me godinën në flakë, Demalia me keqardhje shkruan në facebook:  "Si ke qenë e në çfarë mysybeti të bonë".

Më tej ai thekson se "Tironës si ka ngel më identitet, as kulturor, as fizik, as social, as moral, as kujtesë as… Tirona sot është kthyer në një hale publike e të gjithë llumit dhe perversitetit dhe veseve si degradim dhe primitivitet politik, tregëtar dhe shoqëror shqiptar deri në denatyralizimin e saj".

Sarajet e Toptanëve u shkrumbuan nga flakët gjatë orëve të natës. Denoncimi për zjarrvënien u bë nga qytetarët e ndodhur pranë zonës me anë të videove të publikuara në rrjetet sociale

Policia e Tiranës reagoi tetë orë pas ngjarjes, duke thënë se më datë 16.08.2021, rreth orës 23:40, në rrugën “Abdi Toptani”, ka rënë zjarr në një lokal, ku ka vetëm dëme materiale. Sipas policisë, grupi hetimor punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit.