Kush i dogji "Sarajet" e Toptanëve? Reagon politika
Presidenti Ilir Meta reagoi ashpër ndaj zjarrit në objektin Sarajet e Toptanëve në qendër të kryeqytetit. Në një postim në faqen e tij zyrtare Meta thekson se Tirana u gdhi me një tjetër monument kulture, gati të shkrumbuar nga zjarrvënia e qëllimshme.
Sipas Presidentit, ky akt kriminal dhe i dënueshëm është përdorur rëndom vitet e fundit, për t’i hapur udhën ndërtimit të kullave, “lavatriçeve të pastrimit të parave” në kryeqytet, siç denoncojnë edhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare.
Meta thekson se viktimë e “piromanëve” ra pak ditë më parë edhe kurora e gjelbër në “Pallatin e Brigadave”, ku gjithashtu është planifikuar të ndërtohet një kompleks kullash.
Kreu i shtetit thekson se babëzia e shfrenuar e betonit në Tiranë ka shkatërruar shumë monumente historike, tradicionale, kulturore dhe objekte të rëndësisë së veçantë, ndërkohë edhe ato pak të mbetura rrezikohen të zhduken përgjithmonë.
Presidenti nxit Prokurorinë dhe SPAK-un si dhe institucionet ligj-zbatuese për hetimin me transparencë dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve, frymëzuesve dhe përfituesve të kësaj veprimtarie kriminale.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti në një reagim për ngjarjen rreth mesditës, ka pohuar se për vlerat e saj arkitektonike dhe historike, kjo ndërtesë u shpall në vitin 1973, monument kulture i kategorisë së parë. Drejtorisë Trashëgimisë Kulturore, Tiranë ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrëvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj.
Margariti bën me dije se së fundi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik. Sipas saj, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar. Ministria e Kulturës mbështet Bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unikale.
Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në Facebook është shprehur: "Lal Plehu dhe kartelet e drogës dogjën Sarajet e Toptanëve, njërin prej simboleve plot histori të kryeqytetit."
