Certifikim nga e para e pronave, Lame: Janë me dhjetëra zona ku po ribëhet përmirësimi i hartave
Kreu i Kadastrës Artan Lame ishte të premten në Lunshnje aty ku nisi për herë të parë procesi i certifikimit të pronave në këtë qytet.
Lame evidentoi dy probleme themelore me certifikimin e pronave në Shqipëri.
"Dy janë problemet e mëdha; një janë zonat ku nuk është bërë asnjëherë regjistrimi fillestar i pasurive dhe që duhet bërë regjistrimi fillestar, duke pasur parasysh që regjistrimi fillestar si proces ka filluar në vitin 1994. E dyta janë ato zona ku është bërë ndër vite regjistrimi fillestar, por është bërë keq ose bërë sikur është bërë dhe s'është bërë fare, që do të thotë se duhet bërë nga e para," tha Lame.
Lidhur me problemet e hasura ndër vite me hartat e pronave dhe mbivendosjen e tyre, Lame theksoi se janë me dhjetëra zonat e tjera kadastrale në të cilat po ribëhet përmirësimi hartografik.
"Nuk ka mbetur shqiptar tani që nuk e ka marrë vesh atë historinë e hartave të grisura, e hartave të mbivendosura dhe atu po bëhet procesi komplet nga fillimi për të përmirësuar hartat. Vetëm këto që përmendja unë të zonave kadastrale janë 112 mijë pasuri që regjistrohen vetëm nga zonat ku po bëhet për herë të parë," tha Lame.
Lame deklaroi se procesi i certifikimit të tokave bujqësore has dhe në problemin e mungesës së dokumentacioneve të shkaktuara nga djegia e godinave ndër vite.
"Është një proces që ka shumë probleme brenda, përveç këtyre që thashë. Ka probleme të marrjes së dokumentacionit nga bashkitë edhe nga qarqet, ka probleme të origjinës së dokumentacionit se një pjesë i kanë humbur pasi 30 vjet janë shumë," deklaroi Lame.
Artan Lame theksoi se kjo është sfida më e madhe që ka kadastra me tokën bujqësore.
