Pret një degë e futesh në burg, pret një pyll e je i lirë" Sazan Guri dhe banorët e Lumasit bërtasin para IKMT
Banorët e Lumasit këtë të premte (13 gusht) i janë drejtuar IKMT qendrore për pezullimin e punimeve në burimin e Sinecit.
Një ditë pasi dolën nga greva e urisë banorët e fshatit Lumas u mblodhën para IKMT në vijim të betejës së tyre për të mbrojtur burimin e Sinecit. Ata kërkojnë të marrin vendimin përfundimtar të pezullimit të punimeve mbi burimin e Sinecit.
Thonë se shqetësimin e tyre e kanë pranuar edhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura, të cilat kanë konstatuar shkelje në këtë projekt.
Në mbështetje të tyre ishte edhe ambientalisti Sazan Guri
“ Të bërtas është pak. Kur një person futet në burg se pret një degë peme çfarë ndodh me një kompani që pret njëpyll të tërë. Këtu prihet një degë peme e futesh në burg, prihet një pyll e lihesh i lirë. Mund të marreësh një pikë ujë e futesh në burg e mund të marrësh një lum të tërë si Vjosën, Osum e të tjerë e ti je i lirë je dhe i mirë për këtë qeveri e kryeministër”
Nëse problemi i tyre nuk merr zgjidhje, ata thonë se do të vijojnë protesta.
Pas takimit që bënë me drejtorin e IKMT, ky i fundit ishte shprehur se ishte në dijeni të problemit, dhe se ka ngritur një grup pune për të verifikuar nga afër cështjen. Brenda të martës, (17 gusht) do të marrin një përgjigje nga ky inspektim thanë banorët.
Padia ne SPAK
Banorët e Lumasit në Kuçovë kanë dorëzuar në SPAK padinë e dytë ndaj kompanisë Salillari. Pas akuzave për ndërtim të paligjshëm në Sinec, ata shprehen se ky subjekt ka prerë kurorën me pisha në Dimal.
IKMT Elbasan ka konstatuar shkelje nga kompania Salillari, dhe banorët I kërkojnë IKMT të lëshojnë urdhrin e pezullimit të punimeve në zonë.
Gjatë një ak-Konstatimi të datës 5 Gusht 3 inspektorë të IKMT gjetën se kompania Salillari ka kryer shkelje në marrjen pa leje administrative të ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve.