Piromanët që ndezën zjarret anës rrugës kryesore Lezhë-Milot, Mirditë, Dropull, Berat e Memaliaj
Vijojnë arrestimet e piromanëve. Dy burra janë arrestuar ndërsa një e moshuar po procedohet në gjëndje të lirë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Në Lezhë u arrestua një 52 vjeçar banues në Zejmen të Lezhës pasi akuzohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe barishte dhe kullota.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen mundën të shuanin flakët duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili rrezikonte disa banesa dhe lokale, si dhe automjetet, pasi ishte anës rrugës kryesore në aksin Lezhë-Milot.
Edhe në Mirditë në fshatin Gjakëz një 66 vjeçar u arrestua se ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz, Fanë, Mirditë.
Gjithashtu policia procedoi penalisht një të moshuar 70 vjeçare pasi ka ndezur zjarr në kanalin kullues. Zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre, Lezhë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Në Dropull të Gjirokastrës një burrë po procedohet penalisht për zjarrin në fshatin Radat. Gjatë kryerjes së disa punimeve me troho në bahçen e tij, ka shkaktuar zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi në rrethinat e fshatit Radat.
Gjithashtu në Memaliaj po procedohet një 51 vjeçar pasi duke djegur disa barëra në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.
Në Berat procedohen penalisht 2 persona. Në lagjen “Donika Kastrioti”, ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me barë.
Ndërsa një 28 vjeçar në vendin e quajtur mali Partizan, ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia duke hedhur një cigare të ndezur në tokë dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.
Në Korçë vihen në pranga dy autorë një 18 vjeçar dhe një 22 vjeçar banues në fshatin Gjonomadh pasi dyshohet se tek vendi i quajtur "Korija e fshatit" në Gjonomadh, këta shtetas, kanë djegur me zjarr një sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme.
Nga data 25 korrik deri me datën 13 gusht në total janë arrestuar 22 persona, 5 janë shpallur në kërkim dhe 22 të tjerë janë proceduar penalisht.
Në vendin tonë sot numërohen 6 vatra aktive.
