Bie çdo dyshim, tani Messi-PSG kanë një akord përfundimtar. Ja detajet financiare
Merr fund dhe saga Messi. Sulmuesi argjentinas dhe Paris Saint Germain kanë arritur akordin më në fund pas shumë ditësh bisedimesh madje edhe dyshimesh ku u përfol edhe për një kundërofertë nga Barcelona.
Siç raportojnë të gjithë mediat spanjolle dhe burimet e besueshme pranë Messit, argjentinasi ka dhënë “OK” për kontratën e propozuar nga klubi parizien për një kontratë 2-vjeçare me opsion për ta rinovuar edhe me një tjetër sezon deri në vitin 2024.
Siç mësohet, Messi do të ketë një page neto të garantuar prej 25 mln Euro, ndryshe nga ç’u raportua për 35 apo 40 mln Euro por ndërkohë bashkë me bonuset e përfshira, paga e ish numrit 10 të Barcelonës mund të arrijë në 35 mln Euro në vit.
PSG ishte klubi i vetëm me të cilin Messi dhe babai i tij kanë biseduar, pa asnjë ndërmjetës në mes teksa zbulohet se negociatat kanë nisur të Enjten e kaluar, menjëherë pas komunikatës zyrtare të lëshuar nga Barcelona ku njoftonte pamundësinë për të rinovuar me kapitenin e saj.
Gjithashtu mësohet se Messi kishte refuzuar interesimin dhe propozimet e ardhura nga PSG dhe Man. City në Prillin e kaluar pasi dëshira e tij e vetme ishte të qëndronte te Barcelona. Akordi tashmë mes palëve erdhi pikërisht pas pamundësisë nga Barcelona për të regjistruar kontratën e Messit për shkak të rregullave të La Ligas.
Tanimë PSG do të përpiqet në orën në vijim të bëjë zyrtar njoftimin për akordin mes palëve dhe deri të mërkurën për ta patur lojtarin në Paris.
Marrëveshja tashmë i jep fund sagës më të madhe të verës teksa Messi bëhet goditja më e madhe e shekullit për Paris Saint Germain.
