Messin e presin në Paris. Argjentinasi nuk ka udhëtuar, po studion kontratën në Barcelonë
Me të zyrtarizuar ndarjen me Barcelonën, raportimet për Messin janë jashtëzakonisht shumë e ndonjëherë edhe nuk qëllojnë në kohë.
Ashtu ishte edhe lajmi sot se Messi kishte prenotuar fluturimin drejt Parisit me avion dhe më pas për t’iu nënshtruar ritit të testeve mjekësore përpara se të firmoste kontratën e re.
Në fakt siç raportojnë mediat katalanase, që janë pranë klubit të Barcelonës, Lionel Messi nuk ka ndërmarrë në fakt asnjë udhëtim drejt Parisit dhe e vërteta është se po studion propozimin dhe kontratën që i ka ofruar Paris Saint Germain dhe një gjë të tillë po e bën në shtëpi.
Në drekë u publikua një video ku Messi me familjen e tij ndodheshin në shtëpinë e tyre të madhe me pishinë ku kanë drekuar dhe më pas nuk ka dale prej saj.
Siç raportohet, Messi po shqyrton kontratën e PSG dhe janë shumë detaje që ai duhet t’i vlerësojë.
E para është paga që thuhet se nuk është aq sa raportohet pra 40 mln Euro bashkë me bonuse.
E dyta dhe shumë e rëndësishme, janë të drejtat e imazhit ku te Barcelona, argjentinasi i zotëronte 100% personalisht dhe klubi nuk përfitonte asgjë.
E treta, janë edhe akordet e mëdha si psh, Messi vishet me Adidas ndërsa PSG bashkëpunon me Nike me një linjë të dedikuar të Michael Jordan.
Pra nuk ka asgjë ende afër për udhëtimin e Messit në Paris derisa i ati i tij që është edhe agjenti bashkë me avokatët të japin “OK” për kontratën që lojtari do të firmosë.

