Nurellari: Debati për Bregoviçin e panevojshëm, Rama dhe Kurti për ego kanë krijuar urrejtje
Në një intervistë për Ora News, politologu Adri Nurellari u shpreh se debati Haradinaj-Rama vjen në një dallgë shqetësuese sa i përket ftesë së Bregoviçit në Korçë dhe atribuimit të asaj ftese Ramës.
Nurellari theksoi se për këtë koncert të cilin e quan periferik shumë njerëz po bëhn të zellshëm dhe janë njerëzit që konsumojnë mallrat serbe.
Nurellari: Debati Haradinaj-Rama vjen në një dallgë shqetësuese sa i përket ftesë së Bregoviçit në Korçë dhe atribuimit të asaj ftese Ramës. Për mua ishte një ftesë e panevojshme dhe mendoj se edhe reagimi ka qenë i pavendtë për një aktivitet me qoftë dhe birra. Sigurisht që ka një turmë kolektive që mbështesin z. Kurti që nuk pranojnë një mendim ndryshe. Një pjesë e tyre janë të organizuara edhe nga VV-ja për një qëllim të caktuar. Ata duan që të glorifikojnë Kurtin duke goditur ata që janë kundërshtar të tij.
Për këtë koncert shumë njerëz po bëhen të zellshëm dhe janë njerëzit që konsumojnë mallrat serbe. Ai është një këngëtar i ftuar në aktivitet periferik. Nga ana tjetër nuk mendoj se ka prishja të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, por vetëm mosmarrëveshje mes dy liderave. Kjo është një përplasje dhe helmatisje personale, për shkak të dy liderave që janë duke u treguar të pakujdesshëm duke mbjellë urrejtje. Rama e ka lëshuar gjuhën e tij kundrejt politikanëve të Kosovës, deri në banalitet e padi, ndërsa Kurti për ego personale dhe inat të Ramës, e bllokoi për 2 muaj kufirin në pandemi. Atë kohë nuk kishte fare bashkëpunim mes dy vendeve tona. Kurti ka ardhur këtu dhe ka bërë fushatë në Shqipëri në zgjedhje, duke harxhuar kohë në pandemi.
Nurellari shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, përpos asaj që ndodh me dy kryeministrat.
Nurellari: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, përpos asaj që ndodh me dy kryeministrat. Kemi marrëdhënie shumë të mira ekonomike dhe rritje të marrëdhënieve tregtare. Shkëmbimi dhe qarkullimi i pushuesve janë në nivel të jashtëzakonshme. Kosova për Shqipërinë është një destinacion i preferuar edhe për pushime verore, ashtu sikurse është Shqipëria e preferuar nga Kosova për pushime verore. Pra mes dy vendeve kemi një rimëkëmbje të bashkëpunimit kombëtar. Qeveritë nga ana tjetër janë në situatë qesharake.
