Viktima e dytë nga zjarret, ndërron jetë gruaja e 64 vjeçarit që u dogj në Gjirokastër
Shënohet viktima e dytë e zjarreve në Shqipëri.
Tatiana Haxhiaj 57 vjeç, ndërroi jetë në Spital 8 ditë pasi bashkëshorti, Andrea, mbeti i vdekur mes flakëve.
Bashkëshortët tentuan të mbrojnë banesën në fshatin Asim Zenel të Gjirokastrës nga zjarri më 3 Gusht.
Gruaja kishte pësuar djegie në 75 % të trupit për të cilat po trajtohej në QSUT, por nuk u ka mbijetuar dot plagëve të rënda.
Me dy viktima nga një familje, Gjirokastra bëhet qarku me bilancin më tragjik të valës së zjarreve që dogji rreth 900 hektarë pyje, kullota, toka e vreshta.
105 ha me pyje dhe 7 mijë rrënjë ullinj përllogaritet se u dogjën rreth 50 vatra zjarresh në qarkun e Fierit.
Zonat më problematike ishin të Cakranit dhe Çorrushit, pasi rrezikoheshin banesat.
Përballimi i situatës gjatë kësaj vere, por dhe përvoja nga e shkuara sipas prefektit të Fierit kërkon që bashkitë duhet të forcojnë repartet zjarrfikëse.
"Normalisht që nëse ne i referohemi qarku tonë asnjëra nga bashkitë nuk mund të themi që ka kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar situatën e zjarreve," tha ai.
Edhe bashkia e Korçës ka nisur të bëjë bilancin e zjarreve në Krushovë, Gjonomadh, Leshnjë dhe Vithkuq tek Manastiri i Shën Pjetrit.
"Në zonën e Krushovës aty ku ka pasur pyje të larta janë djegur rreth 30 hektarë plotësisht me pisha dhe haishte. Pjesa tjetër është djegur pjesërisht dhe themi se do të marrë veten."
Të dhënat ende nuk janë zyrtare, por sipas raportimeve, disa mijëra hektarë pyje, toka, ullishte e vreshta, sikurse banesa e stane janë djegur nga zjarret që përfshinë vendin nga jugu në veri.
17 te arrestuar, 17 te proceduar dhe 5 ne kërkim nga 25 korriku-11 gusht për zjarrvënie.
