Ora News zbardh dëshmitë e gardianëve: Si tentuan të arratisen Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri

Ora News zbardh dëshminë e punonjësve të burgut 313 të cilët kanë arritur të parandalojnë tentativën e arratisjes së Arbër  Çekaj me Fatmir Pjetrin më 8 gusht 2021.

Lulzimi dhe Arbër Çekaj ishin në qeli përballë me njëri-tjetrin dhe me Fatmir Pjetrin takoheshin në ajrosje në hyrje e dalje.

Dyshohet që edhe gardianët kanë ndihmuar dy të paraburgosurit në tentativën e arratisjes.

Çanta e kuqe

Litarin 17 metra të gjatë, çengelin dhe levën e hekurit Fatmiri i mbante në çantën e kuqe me të cilën ka dalë nga dhoma dhe ka shkuar deri tek vendi që ka kapërcyer nga tarraca e godinës, ajrosja.

Pikërisht punonjësit e policisë akuzohen se nuk kanë ushtuar kontroll fizik dhe të mjeteve apo pajisjeve që Fatmir Pjetri kishte me vete në këtë çantë.

Mbyllën me shul derën e sektorit të ajrosjes

Dëshmia e Bledar Kurtit me detyrë punonjës i vëzhgimit të ajrosjes në IEVP Jordan Misja.

"Para se të dilja përsëri në ajrosje kam parë një të paraburgosur i cili kishte prerë dorën dhe shkoi te infermieria. Pasi mora përsëri shërbimin dhe u bëra gati për të pritur të paraburgosurit në ajrosje, vura re se dy të paraburgosur hapën rrjetën dhe hipën mbi zgarën e ajrosjes, kam shkuar nga vend-roja për t'i ndaluar dhe arrita vetëm të kapja me një dorë të paraburgosurin Fatmir Pjetrin, por nuk arrita ta ndaloja pasi më iku dhe iu drejtuan fundit të ajrosjes.

Aty lidhën litarin dhe e hodhën në krahun e oborrit. Në moment kam bërtitur për të më dëgjuar polici poshtë i kolonës, dhe kam shkuar të hap derën e daljes nga sektori në ajrosje pasi ishte e mbyllur me shul nga të dy të paraburgosurit dhe kanë ardhur dy policë të gatshëm E. P dhe Olti Myzyri të cilët hipën lart sipër zgarës së ajrosjes, shkuan deri në fund për të parë të dënuarit dhe u kthyen pasi nuk panë asgjë."

Debati i gardianit me Arbër Çekaj

Dëshmia e Xhavit Kurtit, me detyrë punonjës i vëzhgimit të ajrosjes në IEVP Jordan Misja.

"Kam marrë shërbimin në orën 08:00 të mëngjesit. Pasi mora shërbimin, konstatuam elementët e sigurisë të cilët ishin ën rregull dhe pa probleme. Rreth orës 08:00-12:00 kanë vazhduar ajrimet pa probleme. Rreth orës 15:00 jemi ngjitur tek bokset e ajrimit për të filluar ajrimi e pasdites për të paraburgosurit. Kanë dalë për ajrim sektori nr.1, në krahun e ajrosjes tjetër. Gjatë daljes në ajrim kam parë punonjësin e policisë i ajrosjes tjetër që po bënte debat me të paraburgosurin Arbër Çekaj, i cili kishte hipur sipër zgarës lart dhe mua mu duk sikur e kapi për këmbe por nuk arriti të neutralizohej. Në këtë moment duke qenë dhe me trup të gjatë ka hapur rrjetën sipër dhe është ngjitur në zgarë, i kam bërtitur punonjësit të policisë Fiqiri Halili që të njoftojë informacionin për ngjarjen pasi ne nuk kishim as telefon as radio. Nuk kam parë asgjë më shumë pas këtij momenti."

Arbër Çekaj godet policin e sigurisë

Dëshmia e Ali Almeta, me detyrë ndihmës specialist informacioni në IEVP Jordan Misja.

"Rreth orës 14:50 marr detyrë nga s/informacionit që të merrja të paraburgosurin e dëmtuar, dy punonjës të rolit bazë të gatshëm dhe specialistin e trupës për ta dërguar në urgjencë. Në momentin që dalim në tunel, kam dëgjuar nga jashtë derës zhurma dhe të bërtitura, dhe në këtë moment kemi lënë të paraburgosurin tek kontrolli me policin e rolit bazë dhe unë me dy të grupit të sigurisë dhe specialistin e trupës kemi dalë jashtë në oborr. Aty kam parë s/informacionit të gjakosur dhe punonjësin e sigurisë L.Hysenlika i cili kishte neutralizuar të p/burgosurin Fatmir Pjetrin, dhe më pas kam parë të paraburgosurin Arbër Çeka duke goditur policin e sigurisë te porta e jashtme dhe kemi ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe prangosur. Më pas i bëmë kontroll dhe i shoqëruam në veçim."

Përpjekja për neutralizimin e të paraburgosurve që tentuan të arratiseshin

Dëshmia e Myfit Xheka me detyrë specialist informacioni në IEVP Jordan Misja.

"Fatmir Pjetri ishte në gjysmë lartësi duke zbritur me litarë për tek shkallët e hyrjes së administratës. Menjëherë jam ngjitur vetë i pari për të bërë neutralizimin e këtij të paraburgosuri, ai kishte në dorë një hekur në formë harku dhe në shesh pushimin e shkallëve të administratës u përballa me të. Duke e ndaluar më ka goditur me hekur në kokë duke më dëmtuar në pjesën e rrafshit të kokës në anën e majtë. Pastaj u hodh nga shesh pushimi i shkallëve në sheshin poshtë në dysheme, ka shkuar dhe ka goditur me këtë levë edhe punonjësin e portës. Kam shkuar menjëherë nga mbrapa dhe së bashku me punonjësin e portës Hekuran Sina kemi neutralizuar të paraburgosurin Fatmir Pjetri. Në këtë kohë i paraburgosuri tjetër Arbër Çeka ishte duke zbritur në të njëjtin litar ku zbriti dhe Fatmir Pjetri . në këtë kohë ka arritur të zbresë Arbër Çeka dhe ju drejtua portës kryesore, ku ishim dhe ne me personin e ndaluar , ka dalë punonjësi i sigurisë G.Nikoqi dhe specialisti i trupës Gëzim Ramushi dhe bënë neutralizimin e Arbër Çekaj. U bë prangosja e tyre, i shoqëruam tek skaneri te dhoma e kontrollit, më pas u bë kontrolli fizik  ku në kontroll nuk kishin gjë me vete dhe është bërë shoqërimi në dhomat e veçimit."

Akuzat

Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri akuzohen për "largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit" dhe "Goditje për shkak të detyrës."

Lulzim Çepele akuzohet për "dhënie ndihmë një të burgosurit për largim."

Tre të paraburgosur të tjerë të burgut 313 akuzohen për "moskallëzim  krimi".

Gjashtë punonjësit e policisë që akuzohen për "Shpërdorim detyre" janë Gëzim Ramushi, Saimir Shahini, Bashkim Muça, Olti Myzyri, Redion Maloku, Edmond Prenga.

Materiali u sigurua nga gazetari Edison Vatnikaj, përgatiti Xh.Zh, redaksia online

Dokumenta bashkëngjitur