AMT padit në SPAK prokuroren, Budina: Udhëheqësit tanë bëjnë pushime kur Shqipëria digjet

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depozitoi sot në SPAK një kallëzim ndaj prokurores Manjola Kajana, me argumentin se ka vendosur mosfillimin e hetimeve ndaj ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Prokurorja Kajana akuzohet nga Aleanca për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Adriana Kalaja:Ne kemi argumentuar se nuk ka bërë as veprimin minimal që duhej të kushtëzohej marrja e vendimit lidhur me regjistrimin apo mosfillimin e çështjes.

Nga ana tjetër aktori e regjisori Edmond Budina ka kritikuar politikanët pasi thotë se ndërkohë që Shqipëria digjet ata shkojnë në plazhe.

Budina thekson se lufta e Aleancës do të vijojë derisa Teatri të ndërtohet aty ku ishte.

“Dua të them edhe se janë pushime dhe udhëheqësit tanë të ndritur bëjnë plazh ndërkohë që Shqipëria digjet, ne jemi këtu më të vendosur për ta çuar betejën deri në fund. Soreca është një qytetar dhe si qytetar ka bërë shkelje të rëndë dhe ne e kallëzuam. Ta flenë mendjen të gjithë ne nuk tërhiqemi. Drejtësia në këtë vend duhet të vendoset një herë e mirë.

Ambasadori Soreca dhe kryebashkiaku Veliaj akuzohen nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për ndikim të paligjshëm ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushteteuse lidhur me çështjen e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar