Izolohen flakët sipër Tunelit të Kalimashit, vijon aktive vatra në Majën e Rrunës
Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit të rënë në vendin e quajtur Maja e Rrunës (Laku i mollave) në qarkun Kukës.
Gjatë ditës së sotme ka vazhduar puna për mbajtjen nën kontroll të kësaj vatre megjithë terrenin e vështirë për të operuar me forca tokësore.
Në këtë zonë janë angazhuar nga bashkia Kukës 10 forca të MZSH-së , 5 punonjës të pyjores dhe 20 forca nga komuniteti i Nj.Ad Malzi.
Në këtë operacion janë angazhuar gjithashtu dhe forcat e Kosovës dhe konkretisht 9 mjete zjarrfikëse e 34 forca zjarrfikëse dhe nga FSK 32 forca dhe 7 mjete transporti.
Vatra e zjarrit të rënë sipër Tunelit të Kalimashit, në drejtim të Qafës Kumbullës është izoluar plotësisht. Në këtë drejtim janë angazhuar 10 forca të DMR-së Kukës dhe 4 automjete zjarrfikëse me personelin e tyre.
Në bashkinë Tropojë vijojnë të jenë aktive dy vatra zjarri një në pyje të fshatit Betoshë njësia administrative Lekbibaj dhe një vatër zjarri e shfaqur afër varrezave të fshatit Dragobi njësia administrative Margegaj.
Për izolimin dhe shuarjen e këtyre vatrave zjarri janë angazhuar 4 punonjës të pyjores, 5 punonjës të AZM Tropojë, 10 forca nga komuniteti si dhe 7 efektiv të Komisariatit Policisë Tropojë.
