Familja në Kombinat vuan mungesën e ujit të pijshëm: Na vjen vetëm 20 minuta në ditë
Furnizimi i kryeqytetit me ujë të pijshëm mbetet një mision i papërmbushur nga Bashkia e Tiranës. Në disa familje çezmat pikojnë vetëm 20 minuta, një herë në 24 orë.
"Këtu vjen 20 minuta në ditë, një herë në ditë vjen uji dhe vjen një currilë. Sa mund të arrij unë? Unë rrobat e mia nuk i laj këtu, nuk arrij dot. 3 ditë nuk ka ardhur fare uji," thotë zonja e shtëpisë.
Me bidonë dhe kova, zonja e shtëpisë, çdo ditë në orën 17:00 mbush enët për të pasur rezerva uji.
Duke qenë se uji në rrugën e Qelqit në Kombinat vjen vetëm një herë në ditë dhe 20 minuta shumë nga bidonët apo kovat nuk kanë arritur që të mbushen.
"Çfarë të bëj me 20 minuta, nuk arrij. Të mbushet depozita apo të mbush ujë që të kem për të larë enët," thotë ajo.
Shlyen faturat por shërbimin nuk e merr, për më tepër e uji është i pakonsumueshëm dhe i duhet të paguajë dyfish për të pire ose gatuar.
"Ose të sjellin ujë tamam dhe ta paguaj, ose të vijnë të vënë sahat që e di sa harxhoj dhe e paguaj, por jo duke mos pasur ujë dhe unë të paguaj. 35 kjo dhe 40 ble ujë nuk ja arrij dot," shtoi zonja.
Pavarësisht se situata është shqetësuese dhe janë të shumta familjet që ankohen për mungesën e ujit, bashkia e Tiranes ende vijon ta neglizhojë si problem.
