23-vjeçari i shpëtoi atentatit në Theth, policia dyshon se autorët ngatërruan objektiv
Paulin Harusha 23 vjeç mbrëmjen e së hënës, 9 gusht po lëvizte më një mjet tip furgon nga zona e Thethit në drejtim të fshatit Ndërlysa kur persona të pa identifikuar kanë zbrazur karikatorët e kallashnikovit në drejtim të tij.
Fatmirësisht plumbat e lëshuara nga atentatorët nuk e kanë prekur në organet jetësore, por vetem në pjesën e krahut.
Në rrëfimin e tij në polici 23-vjeçari Harusha është shprehur se nuk i ka dalluar personat që e qëlluan edhe për shkak të errësirës.
Familja Harusha prej vitesh ka një bujtinë në zonën turistike të Thethit. Nuk dihet nëse ky atentat ka lidhje me biznesin familjar apo me ndonjë konflikt të çastit.
Por nga ana tjetër blutë e Shkodrës kanë dyshime të forta që autorët mund të kënë ngatërruar shënjestër, pasi 23 vjeçari Harusha njihet si person i qetë dhe pa precedent penal.
Për këtë arsye një tjetër pistë hetimi është se objektiv i atentatit mund të kenë qenë dikush nga vëllezërit e tij, të cilët pritet të merren në pyetje.
Pronarët e bujtinave në zonat veriore të vendit kanë rënë pre e sulmeve me armë shpesh herë.
Kujtojmë se në mars të vitit 2019 u ekzekutua më armë zjarri Nard Polia pronari i një prej bujtinave në Theth.
Ngjarje kjo, që vijon të jetë ende e pa zbardhur.

