"Nuk më han luli për kta!" Rama kujton incidentin e Haradinajt me Merkelin e Macronin në Berlin

Pas fotos me dy xhudistet e Kosovës që morën medalje në Lojërat Olimpike në Tokio dhe valës së komenteve negative, Rama ka reaguar përmes një shkrimi, duke përmendur edhe një ndodhi me ish-kryeministrin Haradinaj në Berlin.

Rama kujton takimin me liderët e rajonit me presidentin francez Macron e kancelaren Merkel, ku në atë kohë Ramush Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës.

Sipas Ramës Haradinaj u ka thënë dy liderëve evropianë se “nuk i ha luli për këta” duke aluduar për homologët e rajonit e sipas Ramës duke i hequr rastin historik Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke ‘i treguar babait arat’, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Evropian? E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë ‘tregimin e arave’, deri në pikën që një lider kosovar ia futi në sy të Merkelit e Macronit, ‘mu nuk më han luli për kta!’ dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, - shkruan Rama.

Rama thekson se është dëshmitar prej tetë vjetësh së respekti e durimi i ndërkombëtarëve me Prishtinës zyrtare po bie për shkak të ngecjes së dialogut suke iu dukur liderët si gjithnjë e më pak të arsyeshëm e Serbia gjithnjë e më pafajshme.

“A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)? E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”, - vijon Rama.

Kryeministri i Shqipërisë akuzon politikanët se retorikën e brendshme e kanë shndërruar në politikë të jashtme si dhe e kanë përfshirë në fjalorin e tyre si tradhti politikën e jashtme të re të Shqipërisë.

Madje, sipas tij, nëse Kosova do të mbrohej sikurse e mbron ai, vendi do të ishte shumë më i respektuar në arenën ndërkombëtare.

“A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin vulgar të tradhtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare? E bëj këtë pyetje këtu, për t’iu thënë të gjithë atyre në Kosovë që e kanë gjetur tradhtarin tek unë, se së pari, unë jam po ai që në mes të Beogradit fola me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”, - tha Rama.