U njoftua që do hynte në fuqi në 12 korrik, njohja e patentave shqiptare nga Italia ende e pamiratuar

Emigrantë shqiptarë në Itali vazhdojnë të kërkojmë informacion mbi marrëveshjen e konvertimit të patentave shqiptare në Itali e arritur sipas informacionit të shpërndarë nga qeveria shqiptare, qysh në 12 mars të 2021. 

Sipas komunikimit të bërë nga autoritetet shqiptare marrëveshja duhet të hynte në fuqi 3 muaj pas nënshkrimit të saj dhe në Shqipëri e që përkon me datë 12 korrik 2021.

Gazetarja e Rtv Ora në Romë , Alba Kepi sqaron se pavarësisht këtij rregulli, çdo lloj vendimi,  marrëveshje  ose ligji  në Itali hyn në fuqi vetëm pas publikimit në fletoren zyrtare. 

Deri më tani marrëveshja Itali - Shqipëri mbi konvertimin e patentave shqiptare nuk është publikuar në fletoren zyrtare italiane.

Sipas informacionit të përcjellë nga ambasada shqiptare , vonesa ka të bëjë me disa probleme teknike por që nuk janë zbardhur.

E fakt mbetet se prej datës 12 mars 2021 kur qeveria shqiptare deklaroi nënshkrimin e marrëveshjes e deri më sot kanë kaluar 5 muaj e emigrantët shqiptarë janë në pritje të aplikimit të normativave të parashikuara nga ajo.