BKH u formua, po më pas? Shella: Shqipëria renditet e fundit për nga demokracia dhe drejtësia
Të 28 fituesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur zyrtarisht punën këtë të hënë, 9 gusht 2021. E cilësuar si FBI-ja shqiptare ajo do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.
Gert Shella kreu i INFOÇIP i ftuar në studion e Ora Neës, e ka cilësuar BKH si një nga levat e strukturës së posaçme që përfaqësohet nga SPAK dhe kompletimi i saj konsiderohet si hallka e fundit në konfigurimin e plotë të strukturës të veçantë të reformës në drejtësi.
Shella: "Byroja Kombëtare e Hetimit është një nga levat, pjesë strukturore që përfaqësohet nga SPAK dhe kompletimi i kësaj konsiderohet si hallka e fundit në konfigurimin e plotë të strukturës të veçantë të reformës në drejtësi. Ajo që kemi parë deri më sot është një pafuqi në termat e burimeve njerëzore nga pikëpamja legjislative këto struktura tashmë e kanë të kompletuar kuadrin e tyre që në vitin 2017, por kemi parë edhe një ngatërrim të targetit. Nuk kanë shkuar dot në nivelet e larta aty ku ndoshta dhe shënjestra është shumë e dukshme, por kanë gjetur deri në nivelin më të ulët."
Sipas Shellës, në Shqipëri ka një defiçit të dosjeve që punohen dhe hetohen brenda vendit. Edhe dosjet më të bujshem që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë kanë qenë produkt i punës së dedikuar të fqinjëve tanë.
Shella: "Ligjërimi sipas të cilit dosjet do të vijnë nga Amerika është një ligjërim do të gjykoja se nuk shpie gjëkundi pasi kjo kontradikton vetë premisën e reformës në drejtësi, e cila në synimin e vet kishte aftësimin e shqiptarëve dhe strukturave tona institucionale për të adresuar çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin në nivele të larta apo krimin e organizuar. Në Shqipëri ne kemi një defiçit të dosjeve që punohen së brendshmi. Edhe çështje e bujshme kanë qenë produkt i punës së dedikuar të fqinjëve tanë, këtu kam parasysh antimafian italiane."
Për Shellën Shqipëria është në fund të listës së atyre vendeve me demokraci të avancuar dhe me një sistem ligjor ku të drejtat dhe liritë e njeriut garantohen dhe kjo është një tragjedi, sipas tij.
Shella: "Kanë frikë nga ata që ndoshta mund të jenë bërë shkak që ata të performojnë. Frika matet nga mungesa e rezultateve dhe e kundërta, nëse kemi rezultate kemi mposhtje të frikës. Nga ana tjetër kemi dhe një fenomen koha është një gjykatës i pamëshirshëm. Kur koha kalon dhe rezultatet mungojnë, kjo nuk ndikon në forcimin e besimit të publikut. Shqipëria renditet për fat të keq në fund të listës së atyre vendeve me demokraci të avancuar dhe me një sistem ligjor ku të drejtat dhe liritë e njeriut garantohen dhe kjo është një tragjedi e cila mesa duket na ka vënë poshtë jo në kuptimin si do adresohet, por në kuptimin që nuk po prodhohen rezultate."
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
