KLSH zbarkon në Kadastrën e Korçës, kallëzon në prokurori 4 ish-drejtorë

4 ish drejtues të ALUIZNI-t dhe Hipotekës në Korçë janë paditur prej KLSH në prokurori. Ndaj tyre rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në regjistrimin e paligjshëm të disa provave. Nëse padia e Kontrollit të shtetit do të konfirmohet ata rrezikojnë dënimin deri në 7 vite burg

Kontrolli i lartë i shtetit ka kërkuar ndjekjen penale për tre ish drejtues të hipotekës së Korçës dhe një ish drejtues të ALUIZNI-t të këtij qyteti.

Në një deklaratë për mediat bëhet e ditur se vendimi ka ardhur pas një auditimi që i përkasin dokumentacionit dhe procedurave të ndjekura prej 1 janarit 2017 dhe deri në 31 mars të vitit 2020.

Nga verifikimi rezulton se persona të ndryshëm duke cenuar interesat e shtetit kanë përfituar legalizimin e objekte informale në mënyrë të padrejtë.

Megjithatë ende nuk është bërë e ditur se cilët janë zyrtarët e lartë që do të përballen me prokurorinë e Korçës.

KLSH tashmë ka ngritur akuzën veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në të cilin masa e dënimit sanksionohet deri në 7 vite burgim.

Për vitin 2021 KLSH ka parashikuar të realizojë 120 auditime për të cilat do të publikojë edhe konkluzionet

Edhe në vitin 2017, pas kontrollit në zyrat e hipotekës së Korçës janë paditur 7 zyrtarë për shkelje të ligjit.

Një tjetër dosje e kontrollit të shtetit që u dorëzua në prokurori ishte dhe ajo e policisë, ku akuzat u ngritën për shpërdorim detyre në angazhimin e policisë në krah të kompanisë që po ndërton në Sinec dhe për shkeljet e konstatuara me marrjen me qira të automjeteve për forcat e rendit.