Miliona pa garë në bashkinë e Tiranës, 5 prokurime me vlerë 112 mln lekë me një konkurrent ose të skualifikuar
Në javën e fundit bashkia e Tiranës ka shënuar edhe pesë raste të tjera pa garë. Në dy prej tyre bëhet fjalë për sigurimin e jetës së punonjësve dhe të mjeteve ku kanë marrë pjesë bashkim operatorësh ose vetëm një subjekt që automatikisht janë shpallur dhe fitues.
Vera në total e dy kontratave shkon në rreth 112milionë lekë thuajse në të njëjtën vlerë që ishte dhe fondi limit i vendosur nga bashkia e Tiranës.
Edhe në tenderin për shërbimin dhe mbushjen dhe kolaudimin e pajisjeve kundër zjarrit ku kanë marrë pjesë tre kompani në garë dy janë skualifikuar për shkak të kritereve. Megjithatë në këtë rast duhet thënë se subjekti i mbetur në garë ka dhënë dhe çmimin më të ulët me rreth 7 milionë lekë.
Një tjetër prokurim është ai i ujësjellës-kanalizimeve me fond 4.6 milionë lekë për blerjen e Materialeve Elektrike dhe Mekanike.
Në garë kanë marrë pjesë gjashtë kompani ku dy nuk kanë paraqitur fare ofertë. Po ashtu janë skualifikuar dy të tjera që rezultojnë të kishin dhënë një çmim më të ulët se fituesi dhe sërish shkak janë bërë kriteret.
Fituesi i këtij tenderi rezulton të jetë kompania Westec me ofertën 4 milion e 212 mijë lekë.
I njëjti institucion ka realizuar edhe një tender për blerjen e matësve të ujit me fond rreth 13 milionë e 900 mijë lekë. Në garë ka marrë pjesë vetëm “HIDROFAHO” që ka ofertuar rreth 12,980 mijë lekë duke u shpallur edhe fitues.
Duket se edhe një muaj pasi kryeministri Rama kërkoi tendera më shumë pjesëmarrës, dhe ku nga gara të ulen shpenzimet e shtetit, në bashkinë e Tiranës kjo mbetet një sfidë e vështirë.
Edhe pse u deklaruar se çdo nismë e tillë do të shkojë në SPAK, apo se ky i fundit i ka në prioritet prokurimet publike, sërish gjithçka mbetet në heshtje.
